Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama me vendimin e nxjerrë më 27 dhjetor 2023, ka përjashtuar kryetarin e trupit gjykues, gjyqtarin Vesel Ismajli nga gjykimi ndaj ish-zyrtares së BE-së, Albina Nura, e cila akuzohet për korrupsion.
Një vendim i tillë, erdhi pas kërkesës së Zyrës së BE-së në Kosovë, ku në seancën e 15 dhjetorit 2023, gjykatësi Ismajli kishte deklaruar se është kërkuar përjashtimi i tij në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leotrim Syla po në atë seancë kishte njoftuar se ishte njoftuar nga Zyra e BE-së për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit Ismajli.
Në vendimin për përjashtim të gjykatësit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ndër të tjera thuhet se pretendimet e paraqitura nga pala e dëmtuar në kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Ismajli janë pretendime të mjaftueshme.
“Kryetarja e Gjykatës konsideroi se pretendimet e paraqitura nga pala e dëmtuar në kërkesën për përjashtim të gjyqtarit janë pretendime të mjaftueshme të cilat parashihen me legjislacionin në fuqi, respektivisht obligimin e Kryetarit të Gjykatës që të vendos përjashtimin e gjyqtarit të çështjes në ushtrimin e funksionit gjyqësor në një rast konkret kur paraqiten rrethana që vënë në dyshim paanshmërinë e tij”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Cilat ishin pretendimet e Zyrës së BE-së në kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit Ismajli?
Në kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Ismajli, pala e dëmtuar ka paraqitur disa pretendime se pse duhej të përjashtohet gjyqtari Ismajli nga ky rast penal. Ndër to, shkeljen e parimit të barazisë së palëve, shkeljen e parimit të paanshmërisë dhe pretendime të tjera.
Pretendimi i parë, që është paraqitur nga pala e dëmtuar ka të bëjë me kufizimin e fjalës ndaj palës së dëmtuar- avokatit Syla në raport me hapësirën që i është ofruar mbrojtësit të të akuzuarës Nura, avokatit Kujtim Kërveshi.
“Sipas palës së dëmtuar që nga fillimi i kësaj procedure është vërejtur një qasje sulmuese e mbrojtjes së të akuzuarës kundrejt palës së dëmtuar, ku sipas tyre kjo qasje është vazhdueshme edhe në rrjetet sociale për çka edhe kanë kërkuar mbylljen e seancave gjyqësore për publikun, mirëpo një gjë e tillë nuk është ndaluar nga KTGJ madje është ndihmuar pavarësisht se është kërkuar që të lejohet kundërpërgjigja në këto deklarime të bëra në vazhdimësi”, thuhet në vendim.
Pretendimi i dytë, të cilin e ka paraqitur Zyra e BE-së ka të bëjë me kërkesën e mbrojtjes e cila i ishte dërguar palës së dëmtuar nga gjyqtari Ismajli për dorëzimin e disa provave mbrojtjes, ku sipas palës së dëmtuar, prokurorit por edhe atyre iu është mohuar e drejta në kundërshtim të kësaj kërkese e cila është paraqitur nga mbrojtja, duke u thirrur në një aktvendim të nxjerrë jashtë shqyrtimit gjyqësor.
Pretendimi i tretë, sipas vendimit i paraqitur nga pala e dëmtuar në kërkesën për përjashtim, ka të bëjë me aprovimet e propozimeve të provave të mbrojtjes pa asnjë rezervë dhe pa asnjë përjashtim edhe pse ato kanë qenë me dhjetëra sosh kurse palës së dëmtuar i ka refuzuar propozimin për nxjerrje të provave kruciale, duke i lënë të hapur nxjerrjen e provave vetëm nëse ajo është e propozuar edhe nga mbrojtja.
Pretendimi i katërt, i paraqitur nga pala e dëmtuar ka të bëjë me refuzimin e kërkesës së përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Michail Papagiannis për shtyrje të seancës së 15 dhjetorit 2023 për shkak të udhëtimit të tij jashtë vendit,por që një kërkesë e tillë thuhet se është refuzuar përmes telefonit nga gjyqtari Ismajli, pavarësisht që gjyqtari ishte njoftuar nga pala Papagiannis se mbrojtjen në mënyrë të tërthortë ka planifikuar që ta bëjë vetë ai.
Tutje, pala e dëmtuar në kërkesën e saj për përjashtim të gjyqtarit Ismajli ka theksuar edhe ndër të tjerash se gjyqtari Ismajli ishte njoftuar se nuk e kanë procesverbalin e seancës së kaluar për të përgatitur marrjen në pyetje, por që një gjë e tillë nuk është marrë parasysh nga gjyqtari, duke ia pamundësuar kështu palës së dëmtuar që të përgatitet për marrjen në pyetje.
Një pretendim tjetër, i paraqitur nga pala e dëmtuar ka qenë edhe se avokati Kërveshi kishte marrë pjesë si dëshmitar në një procedurë disiplinore të gjyqtarit Ismajli, ku sipas palës së dëmtuar avokati Kërveshi kishte dëshmuar në favor të gjyqtarit.
Sipas palës së dëmtuar, gjyqtari ka shkelur rëndë parimin e barazisë së palëve në procedurë dhe parimin e paanshmërisë, duke humbur denjësinë për të qenë gjyqtar në këtë çështje penale.
Arsyetimi i vendimit për përjashtimin e gjyqtarit Ismajli nga gjykimi i kësaj çështjeje penale
Në arsyetim të vendimit thuhet se është gjetur se qëndron pretendimi i palës së dëmtuar se gjyqtari Ismajli i ka aprovuar kërkesat e mbrojtësit për plotësim të provave pa ua dhënë mundësinë e deklarimit prokurorit dhe palës se dëmtuar.
“Nga shkresat e lëndës është gjetur se me datë 29.11.2022 përfaqësuesi ligjor i të akuzuarës av. Kujtim Kërveshi i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, me parashtresë jashtë seancës për sigurimin e disa provave materiale nga ana e palës së dëmtuar, prova të specifikuara në kërkesë ( të gjitha anketat e raportit te OLAF). Me datë 24.01.2023 pas pranimit të kësaj kërkese, gjyqtari i çështjes, pa marrë aprovimin e anëtareve të trupit gjykues dhe pa e prezantuar kërkesën në seance ne mënyre që të marrë edhe mendimin e palëve në procedure, i drejtohet Zyrës së BE-së në Kosovë, për sigurimin e këtyre provave materiale referuar kërkesës së mbrojtësit të akuzuarës”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Tutje, aty thuhet se në shkresat e lëndës janë gjetur edhe kërkesat e përfaqësuesit të palës së dëmtuar të cilat janë refuzuar nga trupi gjykues.
Në vendim, thuhet se trupi gjykues lidhur me këto kërkesa, ka refuzuar propozimin e palës së dëmtuar për sigurimin e disa provave nga ana e gjykatës ex officio, si dhe nuk është vendosur lidhur me propozimin e parashtruar nga pala e dëmtuar për sigurimin e një prove konkrete, duke e arsyetuar me faktin se meqenëse një provë e tillë është kërkuar edhe nga mbrojtja, do të vendoset bashkërisht për të dy propozimet.
Po ashtu, sipas këtij vendimi thuhet se është refuzuar edhe një propozim tjetër i palës së dëmtuar që të ndalohet pala e akuzuar të përmend emra të zyrtarëve të BE-së për shkak të cenimit të privatësisë së tyre.
Tutje, sipas arsyetimit të këtij vendimi thuhet se është gjetur se trupi gjykues ka refuzuar kërkesat e përfaqësuesit ligjor të palës së dëmtuar për mbylljen e seancave gjyqësore për publikun, me arsyetimin se nuk janë përmbushur kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi.
Edhe lidhur me kërkesën e shtyrjes së seancave, kryetarja e gjykatës në vendimin e saj ka theksuar se kërkesat e palës së akuzuar për shtyrje të dy seancave janë aprovuar, kurse kërkesa për shtyrje e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Syla është refuzuar nga ana e gjyqtarit Ismajli përmes telefonit.
Sipas arsyetimit të vendimit lidhur me këto pretendime, kryetarja Shabani-Rama gjeti se pretendimet e paraqitura të palës së dëmtuar në kërkesën për përjashtim, se kërkesat e tyre po ju refuzohen e të palës mbrojtëse po aprovohen, janë pretendime të cilat mund të vërtetohen edhe nga shkresat e lëndës dhe kanë ndodhur gjatë seancave gjyqësore respektivisht gjatë trajtimit të kësaj çështje gjyqësore.
Mirëpo, sipas këtij vendimi kryetarja e Gjykatës nuk ka kompetencë të vlerësojë vendimmarrjen e gjyqtarëve lidhur me propozimet e paraqitura nga palët në procedurë.
Megjithatë, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjyqtarët në ushtrimin e detyrave të tyre duhet të respektojnë parimet e barazisë së palëve në procedurë dhe se palët duhet t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë dhe pa favorizime apo manifestime të animit apo paragjykimeve.
Sipas këtij vendimi, ndër të tjera thuhet se gjyqtari Ismajli ka marrë vendime procedurale që në syrin e një vëzhguesi objektiv mund të duken si të njëanshme, siç janë aprovimi për shtyrje të seancave kur kërkesat janë parashtruar nga mbrojtësi i të akuzuarës, ndërsa janë refuzuar kërkesat për shtyrje të seancës kur një gjë e tillë është kërkuar nga pala e dëmtuar.
Po ashtu, vendosja lidhur me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës Nura, për të siguruar prova nga Zyra e BE-së, jashtë seancës gjyqësore, pa marrë mendimin e palëve të tjera në procedurë, në këtë rast Prokurorit të Shtetit dhe palës së dëmtuar dhe pa e administruar këtë kërkesë në seancë gjyqësore.
E që sipas vendimit të kryetares Shabani-Rama, një veprim i tillë vlerësohet si veprim i njëanshëm dhe trajtim i pabarabartë i palëve që mund të shihet nga pala tjetër si favorizim i njërës palë dhe anashkalim i palës tjetër.
Po ashtu, sipas këtij vendimi është gjetur se ka pasur trajtim të pabarabartë edhe në mënyrën dhe kohën e pajisjes së palës së dëmtuar me procesverbal të shqyrtimit gjyqësor.
Sipas vendimit të kryetares së gjykatës për përjashtimin nga ky rast të gjyqtarit Vesel Ismajli, një veprim i tillë i gjyqtarit ka vënë në dyshim paanshmërinë e tij pasi që ka cenuar barazinë e palëve në procedurë duke ua vonuar qasjen në procesverbalin e 12 dhjetorit 2023 deri më 14 dhjetor 2023, shqetësime të cilat i ka paraqitur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar përmes e-malit të dorëzuar më 14 dhjetor 2023, gjyqtarit Ismajli.
Gjyqtari Ismajli thuhet se nuk është përgjigjur fare në pretendimin e palës së dëmtuar se avokati Kërveshi kishte dëshmuar në favor të tij në një procedurë disiplinore. Sipas arsyetimit të vendimit, kryetarja e gjykatës përmes Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe vendimit disiplinor, ka vërtetuar se avokati Kërveshi ka qenë dëshmitar në një çështje disiplinore të gjyqtarit Ismajli, ku ky i fundit nuk ishte gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore.
Andaj, në fund të këtij vendimi thuhet se kryetarja e gjykatës me qëllim të shmangies së çdo situate që do ta vinte në pikëpyetje integritetin, paanshmërinë apo pavarësinë e gjyqtarëve, e në interes të përgjithshëm për rritjen e besimit tek qytetarët se gjykatat janë objektive dhe të paanshme në gjykimin e çështjeve gjyqësore, ka vlerësuar se kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Vesel Ismajli është e bazuar në ligj dhe e ka aprovuar.
Ndërsa, sipas këtij vendimi, ky rast do t’i caktohet një gjyqtarit tjetër përmes sistemit SMIL, sipas kushteve dhe kritereve për caktimin e një gjyqtari fillestar.
Zyra e BE-së kërkoi edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Ismajli
Në kërkesën për përjashtim, pala e dëmtuar ka paraqitur edhe pretendimin për shkelje disiplinore sipas nenit 5 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Mirëpo, një kërkesë e tillë sipas vendimit të kryetares së gjykatës për përjashtimin e gjyqtarit Ismajli, do të trajtohet ndaras nga kërkesa për përjashtim.
Çka thuhet në aktakuzën e PSRK-së ndaj ish-zyrtares së BE-së, Albina Nura?
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 maj 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Albina Nura po akuzohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 77, si dhe veprës penale “Konflikt i interesit” nga neni 424, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Siç thuhet në aktin akuzues, që nga mesi i vitit 2013 e në vazhdimësi deri më 13 nëntor 2017, e akuzuara Nura, në cilësinë e personit zyrtar-agjente vendore-zyrtare për reforma të administratës publike në zyrën e BE-së “EUOK” në Kosovë, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e saj duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 500 mijë euro buxhetit të BE-së.
Sipas aktakuzës, e akuzuara Nura me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, gjatë implementimit të tenderit sipas projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, në mënyrë të kundërligjshme ka përgatitur dokumentacionin për qëllim të rritjes së vlerës së kontratës nga 2 milionë e 85 mijë euro sa ka qenë vlera e kontratës, e cila ishte përcaktuar të përfundonte nga 3 shkurti 2014 deri më 29 prill 2016, në 2 milionë e 584 mijë e 800 euro.
Kjo pasi thuhet se zgjatja e kontratës në fjalë për tre muaj të tjerë, ka rezultuar me rritje të vlerës së kontratës për 500 mijë euro më shumë se që ishte vlera e kontratës.
Prokuroria pretendon se e akuzuara kishte angazhuar punonjës të administratës civile dhe punonjës tjerë shtetëror në cilësi të ekspertëve jo-kyç, në kundërshtim me kushtet e përgjithshme të kontratës, gjegjësisht neni 9, paragrafi 9.6 e përjashton një veprim të tillë pa aprovimin paraprak të Komisionit Evropian.
Në aktakuzë thuhet se e pandehura kishte ndihmuar, përgatitur dosjet dhe lejuar caktimin e personave, Ilir Reçica, Fisnik Rexhepi, Ilir Salihu, Gent Salihu, Florent Bakija, Ruzhdi Halili, Bernard Nikaj, Arianit Osmani, si ekspertë junior, nga stafi i shërbyesve civil dhe stafi tjetër i Administratës Publike të Kosovës dhe duke e ditur se të njëjtit ishin zyrtarë publikë, si dhe procedura për angazhimin e tyre ishte në kundërshtim me kriteret për caktimin e ekspertëve, personat e nivelit senior të emërohen si ekspertë junior.
Sa i përket projektit “Asistencë teknike për zhvillimin e mëtejshëm të politikës tregtare të Kosovës”, fitues i të cilit ishte “GFA Consulting Group” (drejtues), Cardo Emergin Markets, Belgjikë, si dhe “ACE International Consultants”, Spanjë, thuhet se në mes të datës 17-18 qershor 2014, ndërkohë që menaxherja e këtij projekti kishte munguar për dy ditë, e akuzuara si ushtruese detyre i kishte mundësuar Rron Dalladakut vazhdimin e angazhimit të tij për 205 ditë shtesë.
Po ashtu, aty thuhet se kërkesa e paraqitur u përpunua dhe u dorëzua për aprovim, ku u aprovua përmes urdhrit administrativ nr.49, në të cilën mënyrë e pandehura i mundësoi Dalladakut që të rriste numrin e ditëve si ekspert jo kyç nga 350 ditë në 513 ditë në total, apo rreth 25% të vlerës totale të buxhetit të ndarë për ekspertët jo kyç, duke i mundësuar atij përfitim prej 76 mijë e 950 euro.
Më këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktit akuzues thuhet se në kohën dhe vendin e lartcekur si në dispozitivin e parë, e akuzuara në cilësinë e menaxheres së projektit “Mbështetje për politikat dhe planifikimin strategjik të Kosovës”, në zyrën e BE-së në Kosovë, gjatë procesit të vlerësimit të projektit në fjalë si anëtare e komisionit, gjatë muajit gusht 2013 ka vendosur që oferta e konzorciumit në krye me “Corporate & Public Management Consulting Group” (CPM) ishte vlerësuar me pikët më të larta, ndërsa në mesin e pjesëtarëve të këtij konzorciumi ishte edhe biznesi “Sustainable Strategu and developement Consulting”(SSD), më vonë ndryshuar në “Strategy & Developement Consulting” (SDC) nga Kosova, me pronar Rron Dalladakun.
Ky i fundit, thuhet se kishte punuar së bashku me të pandehurën në zyrën e BE-së në Kosovë, si menaxher i njërit nga projektet e kësaj zyre gjatë vitit 2011.
Tutje, në aktakuzë thuhet se përkundër faktit se ajo ishte në dijeni se biznesi i Rron Dalladakut ishte njëri nga anëtarët e konzorciumit në projektin të cilin ajo e vlerësoi dhe më vonë e menaxhoi, i ka mundësuar të njëjtit të fitonte projektin, duke mos deklaruar konfliktin e interesit tek menaxhmenti i lartë ashtu siç kërkohej dhe ishte përcaktuar me Rregulloren “Procurement and Grants for European Union External Action”, Kodin e Mirësjelljes, Udhëzuesin për Etikë dhe Sjellje të Stafit Lokal të Komisionit Evropian, për faktin se Nura ka qenë pronare dhe aksionare e 19% të kapitalit me kompaninë “Agmia FRUITS”, e cila po ashtu ishte e lidhur me biznesin e saj “Ferma Kodra e Diellit”, ku ajo ishte themeluese-drejtoreshë e përgjithshme dhe pronare e 40% të aksioneve.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “Agmia Fruits”, më 21 mars 2017, kishte fituar projektin e financuar nga BE-ja me titull “Upgarde of Local Orchards”, në vlerë prej 218 mijë e 664 euro e 56 centë, ku e akuzuara kishte dështuar të deklaronte biznesin e saj, bizneset tjera në të cilat ishte aksionare, si dhe faktin se biznesi i saj dhe biznesi “Agmia FRUITS” ishin të lidhura, kishin të njëjtin numër telefoni si dhe adresë të njëjtë.
Sipas prokurorisë, verifikimi i shpenzimeve të këtij granti të BE-së ishte realizuar nga “Baker Tilly Kosovo”, e menaxhuar nga dy nga bashkë-aksionarët e biznesit “Ferma Kodra e Diellit”.
Për këtë ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të “Konfliktit të interesit”.
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...