Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova, thotë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve se është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre e të formojnë një qeveri të qëndrueshme.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tha se pavarësisht se kush e formon qeverinë e re në Kosovë, BE pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reforma të BE-së. Sipas saj Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane dhe njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane.
Këtë deklaratë, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë e bëri pasi të shtunën me (08.07.), kur KQZ çertifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve duke u hapur rrugën kështu themelimit të institucioneve të reja.
“Tani është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t ‘i shërbejë interesave të popullit. Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët, deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj është e rëndësishme që liderët politikë t’i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një qeveri të fortë dhe të fillojnë reformat që populli i kërkon”, shprehet në deklaratën e saj, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë.
Natalia Apostolova u rikujton udhëheqësve politikë kosovarë përkushtimin e përfaqësueses së Lartë të BE-së Federika Mogherini, për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë e zbatimit pa vonesa të marrëveshjeve të arritura në këtë dialog.
“BE do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Kosovës. Përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe instrumenteve të lidhura me të, BE ka siguruar një kornizë politike, ekonomike dhe legjislative për reformat. Përmes mbështetjes së IPA-s, BE-ja siguron ndihmë financiare për t’i mbështetur këto përpjekje dhe për të rritur përmirësimet në tërë Kosovën. Pavarësisht se kush e formon qeverinë e re, BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të agjendës për reformat e BE-së”, thekson Natalia Apostolova.
30 ditë për qeverinë
Komisioni Qendror i zgjedhjeve çertifikoi të shtunën rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit dhe në këtë mënyrë tash i është hapur rruga procesit të formimit të institucioneve të reja.
Tani ka afat 30 ditë kur duhet konstituuar parlamenti i ri për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së Kosovës. Në bazë të rezultateve tashmë të çertifikuara, koalicioni PAN në përbërjen e të cilit janë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ka fituar 39 vende në parlament. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 vende, ndërsa, koalicioni LAA, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Kosovën e re dhe Alternativa, ka fituar 29 vende. Lista Serbe, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar ka fituar 9 vende nga 10 gjithsej sa i takojnë komunitetit serb, ndërsa, 10 vende të tjera janë të rezervuara për pakicat. Parlamenti i Kosovës ka 120 deputetë.
Dekrektim i mandatarit
Megjithatë, asnjë nga subjektet politike nuk mund ta formojë e vetme qeverinë dhe për këtë nevojiten koalicione paszgjedhore. Në këtë fazë akoma nuk ka ndonjë konkretizim të koalicioneve, ndonëse partitë politike tashmë kanë filluar të paraqesin ofertat e tyre. Në bazë të kushtetutës së Kosovës, neni 95 i saj e specifikon qartë se pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe konstituimit të parlamentit, Presidenti i Republikës së Kosovës në konsultim me partinë politike, me subjektin, apo me koalicionin që është fitues i zgjedhjeve e dekreton mandatarin që i ka fituar zgjedhjet për krijimin e qeverisë. Mandatari në afat prej 15 ditësh është i obliguar që të shkojë në Kuvend me listën e Qeverisë dhe të votohet. Nëse nuk votohet dhe nuk i fiton votat e nevojshme prej 61 deputetësh, atëherë, konsiderohet që qeveria nuk është zgjedhur te mandatari i parë.
Më pas brenda afatit prej dhjetë ditësh, është në “diskrecionin” apo vullnetin e e Presidentit, nëse do t’ia jap mandatin partive të dyta dhe të treta që i sigurojnë 61 vota për ta bërë qeverinë, apo të shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme. Kështu thuhet në një interpretim të kushtetutës të bërë në vitin 2014, ku Kosova për më shumë se gjashtë muaj nuk mundi të krijonte qeverinë. Në bazë të këtij interpretimi një gjë është e qartë, “posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve, në këtë rast koalicionit fitues PAN”. Sipas njohësve të kushtetutës presidenti i Kosovës tash duhet të kujdeset dhe të garantojë qëndrueshmërinë e kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të vendit.
“I kishte fotografitë me FaceApp, u ngula!”, Laurenti rrëfeh...
Driloni dhe Sara përgatisin darkën për banorët
“Çift në tentativë”, banorët flasin për Sarën dhe Drilonin
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Trupat e Koresë së Veriut marrin goditje të rëndë në përball...
Avioni i “Japan Airlines” pëson sulm kibernetik, paralajmëro...