Apostolova: Shfuqizimi i Speciales e bën Kosovën partner jokredibil

18:15 | 24 Janar 2018
Arbresh.info

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës e shfuqizon Gjykatën Speciale do të bëjë që Kosova të njihet si partner jokredibil.

“Do të nisi prej këtu. Para dy vjetësh, Kuvendi i Kosovës ratifikoi këtë obligim ndërkombëtar, pra themelimin e Gjykatës Speciale. Nismën për shfuqizimin e Speciales ne në BE e shohim si nismë për shfuqizimin e një detyrimi ndërkombëtar dhe kjo po bëhet njëanshëm. Prandaj kjo lë një përshtypje negative që Kosova jep si partner që nuk u përmbahet obligimeve. E bën partner jokredibil”, ka thënë ajo në Express të KTV-së. “

Me fjalë tjera: Gjykata Speciale ka një mandat shumë të rëndësishëm do të merren me përgjegjësinë individuale të njerëzve që kanë kryer krime të tmerrshme. Nëse e shikojmë çka thotë raporti, nuk kemi nevojë as të komentojmë”.

Apostolova ka thënë se kjo gjykatë nuk është kundër Kosovës. Sipas saj, Specialja është për Kosovën “për shkak se shoqëria dhe institucionet do të dëshmojnë se janë të qëndrueshme dhe të fuqishme vetëm nëse ballafaqohen me të kaluarën; vetëm nëse mund të dëshmojnë se janë të gatshme për t’u ballafaquar me të shkuarën”.

Ajo është shprehur e bindur se populli do të donte të dinte nëse ka njerëz që kanë kryer krime të tmerrshme.

“Aty janë edhe viktimat, e viktimat kanë nevojë për një lloj hakmarrjeje për çfarë ka ndodhur. Kam përshtypje se roli i Speciales është paraqitur gabimisht te opinioni publik, prandaj edhe reagimet e fuqishme tash që e mohon mandatin e vërtetë të gjykatës. Nuk po flasim për spastrimin etnik, për përgjegjësinë kolektive të UÇK-së apo të një grupi njerëzish. Është përgjegjësia individuale për krimet që janë kryer”, ka thënë ajo.

Nëse Gjykata Speciale do të shfuqizohet, Apostolova thotë se Kosova do ta izolojë veten. Ajo thotë se Kosova mund të humbë ndihmën e partnerëve.

“Shumë shpresoj se nuk do të shfuqizohet. Dhe sinqerisht jam duke punuar shumë në këtë drejtim së bashku me kolegët e mi, ambasadorët e BE-së të SHBA-së, për shkak se jemi të brengosur, nuk duam që Kosova ta izolojë veten. Nuk duam që t’ia mohojmë Kosovës ndihmën tonë, që mund të jetë njëra nga pasojat. Por të jem e qartë, nuk jemi në pozitë, si diplomatë që e përfaqësojmë bashkësinë ndërkombëtare, të përzihemi në punët e brendshme. Atë që bëjmë kur takohemi me partitë politike e zyrtarët, është vetëm t’ua tërheqim vëmendjen për pasojat dhe atë që mund të ndodhë po u shfuqizua ligji”, është shprehur Apostolova.

Apostolova ka përsëritur se kushti i demarkacionit dhe ai për luftën ndaj korrupsionit janë të rëndësisë së njëjtë për liberalizimin e vizave.

“S’ka kusht të parë apo të dytë. Kanë qenë 95 kushte, 93 janë përmbushur, dy kanë mbetur pa u plotësuar. Nuk do të guxoja të thosha se cili është më i rëndësishëm, meqë të dy janë njëlloj të rëndësishëm. Sepse nëse nuk përmbushen të dy kushtet, liberalizimi nuk mund t’u propozohet shteteve anëtare për vendim”, ka shtuar ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme