Vuçiq pyet Perëndimin “nëse do t’i respektojë marrëveshjet që i ka bërë vetë”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pyeti të mërkurën partnerët perëndimorë “nëse do t’i respektojnë marrëveshjet që i kanë bërë vetë”.
Vuçiq i bëri komentet në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, në prag të takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se “i kërkon Perëndimit të tregojë se cilin nga pesë apo gjashtë dokumente të rëndësishme do të respektojë”.
Shumica e dokumenteve që përmendi Vuçiq, i referohen Kosovës.
“Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë – shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003 – dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Ai shtoi se në Marrëveshjen e Selanikut ekziston një klauzolë që thotë se do të mbështetet zbatimi i Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
“Dhe, në vazhdën e dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE të së ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është se a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë sjellë vetë”, tha Vuçiq.
Udhëheqësit e Kosovës nënshkruan më 14 dhjetor aplikimin për anëtarësim në BE, i cili një ditë më vonë do të dorëzohet në Republikën Çeke – vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së. Krerët shtetërorë thanë se ky është moment historik dhe shtuan se presin që blloku të mbështesë aplikimin e Prishtinës.
Kosova është vendi i fundit në rajon sa i përket rrugëtimit evropian, pasi deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale të nënshkruar me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Nga 27 shtete të BE-së, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nënshkrimi i aplikimit për anëtarësim vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur së fundmi dhe kanë kulmuar me ngritjen e barrikave në veri më 10 dhjetor nga serbët lokalë.
Vuçiq ka paralajmëruar se do t’i drejtohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë që të dërgojë deri në 1.000 trupa ushtarake dhe policore në Kosovë.
Serbia ka argumentuar se ka të drejtë të dislokojë trupa në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ekspertët e sigurisë dhe kushtetues kanë argumentuar se as kjo rezolutë, e as dokumentet e tjera, nuk i japin të drejtë Serbisë të dislokojë forca në Kosovë.
I dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, tha më 13 dhjetor se Uashingtoni është “kategorisht” kundër lejimit që Serbia të dislokojë trupa në Kosovë.
“Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”, tha Escobar.
Në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në këtë pjesë të shtetit./rel/
Alarm në Paris/ Pronari i restorantit mban peng punëtorët e ...
Shqipëria godet rrjetin e trafikimit që fshihte kokainën në ...
Ronaldo: Nuk po planifikoj të pensionohem, thjesht po e shij...
Murati akuzon opozitën për bllokim të uljes së çmimeve, i re...
IPK rekomandon suspendimin e një polici, u rrah me një qytet...
Digjet një veturë në rrugën Duhël-Prishtinë, nuk ka të lëndu...