Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve në rastin “Subvencionet 4”, Gjon Musolli dhe Halit Berisha, ndërsa vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin dy të akuzuarit u dënuan (së bashku) me dënim unik prej 3 vjet e gjysmë burgim dhe 7 mijë euro gjobë.
Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e 13 marsit 2024, Musollin e dënoi me dënim unik prej 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë, Kurse Berishën me dënim unik me 1 vit burgim dhe 3 mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Musolli për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim me kusht.
Edhe mbrojtësi i Berishës kishte ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penale, me propozim që Apeli aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që Berishës t’ia zbusë dënimin në 6 muaj burgim, me arsyetimin se do të jetë real dhe i mjaftueshëm.
Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes, ndërsa të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të përpiluar më 28 gusht 2024, vlerësoi se edhe pse aktgjykimi i shkallës së parë nuk mund të ankimohet për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, megjithatë e shqyrtoi sipas detyrës zyrtare dhe gjeti se nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera të cilat detyrimisht do të kushtëzonin prishjen e tij.
Në vendimin e Apelit, thuhet në ankesë nuk kontestohet as gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar shkalla e parë, prandaj, as në këtë drejtim çështja nuk ka qenë objekt vlerësimi i kësaj Gjykate, e që përkitazi me këtë bazë ankimore nuk ka mundur të kontestohet ngase të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë e që gjykata ua kishte aprovuar.
Lidhur me pretendimet ankimore për sanksionin penal, Apeli ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve për një dënim më të butë janë të pabazuara.
Kolegji i Apelit thekson se Themelorja ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese në raport me të akuzuarit.
Për Musollin, si rrethanë rënduese është marrë shkalla e përgjegjësisë penale, e që rezulton se ai kishte vepruar me dashje direkte dhe faktin se veprat penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione” i ka kryer në vazhdimësi. Kurse, rrethanë lehtësuese janë marrë rrethanat personale të të akuzuarit (fakti që është mbajtës i familjes), bashkëpunimi dhe sjellja korrekte me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale dhe pendimin e thellë, faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin, si dhe pranimin e fajësisë.
Në anën tjetër, për Berishën, thuhet se rrethanë rënduese është marrë për bazë shkalla e përgjegjësisë penale, ku qëllimi ishte përfitimi i dobisë pasurore. Edhe për atë, rrethana lehtësuese janë marrë rrethanat personale të të akuzuarit (fakti që është mbajtës i familjes), bashkëpunimi dhe sjellja korrekte me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale, pendimin për kryerjen e veprave penale dhe pranimin e fajësisë. Po ashtu, faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.
Andaj, marrë parasysh rrethanat e lartpërmendura, gjykata ka ardhur në përfundim se me dënimet e shqiptuara, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit. Apeli vlerëson se dënimet unike të shqiptuara ndaj dy të akuzuarve, janë në proporcion me veprat e kryera penale dhe se dënimet e shqiptuara do të ndikojnë në parandalimin e të akuzuarve që në të ardhmen të kryejnë vepra penale dhe do të bëhet rehabilitimi i tyre.
Shkalla e dytë vlerëson se rrethanat lehtësuese dhe rënduese janë aplikuar drejt në rastin konkret, në përjashtim të dashjes direkte të të akuzuarve, ngase Apeli vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të vlerësohet si rënduese.
“…marrë për bazë faktin se dashja në rastin konkret është element i vet veprës penale, nga se këto vepra penale kryhen vetëm me dashje, andaj kolegji nuk akcepton këtë rrethanë si rënduese nga se do të konsistonte në dyfishim të rrethanave dhe atë vet elementi i veprës penale do të vlerësohej edhe si rrethanë rënduese”, thuhet në vendim.
Kolegji i Apelit nuk pranon pretendimin e mbrojtësve të të akuzuarve se nuk janë vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese për të mbrojturit e tyre dhe atë se të akuzuarit kanë pranuar fajësinë, pendimin e shprehur për veprat e kryera, rrethanat familjare se të akuzuarit janë mbajtës të familjeve të tyre, dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra penale.
Sipas Apelit, këto rrethana janë shqyrtuar nga shkalla e parë, andaj pretendimi i tillë është i pabazuar.
“Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë janë në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave të kryera penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me to do të mund të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në fund.
Dy të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 12 shkurt 2024.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Subvencionet 4”, të akuzuarit Halit Berisha dhe Gjon Musolli i kishte shpallur fajtorë, më datë 16 shkurt 2024.
Ndryshe të akuzuar në këtë rast janë edhe: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdari, për të cilët vijon procesi gjyqësor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 nëntor 2023 nga PSRK-ja, thuhet se në periudhë 25 gusht 2020 deri më 24 shkurt 2021, i pandehuri Hasan Maxharraj në cilësinë e personit zyrtar në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe vazhdimisht ka pranuar ryshfet nga Gjon Musolli që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Aty thuhet se Gjon Musolli kishte aplikuar për subvencione në këtë komunë duke përdorur të dhëna personale të familjarit Eduard Musollaj dhe gjatë kontrollit të dokumentacionit vërehet se aplikimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Pas kësaj, thuhet në aktakuzë se për t’u rregulluar kjo çështje, Hasan Maxharraj kërkon 4 mijë euro ryshfet gjë më të cilën pajtohet Musolli. Pasi Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë i aprovon pagesat, Gjon Musolli pranon paratë e subvencionit dhe i dorëzon ryshfetin e kërkuar të pandehurit Hasan Maxharraj.
Me aprovimin e pjesës së dytë të subvencionit, sipas aktakuzës, Gjon Musolli ia dorëzon pjesën e dytë të ryshfetit të pandehurit Maxharraj në vlerë të 4 mijë eurove në dyqanin e tij të blegtorisë në Istog.
Aktakuza thotë se me të njëjtën datë, Gjon Musolli aplikon për subvencione në Komunën e Istogut në emër të familjarit tjetër, Luigj Musollajt. Ndonëse edhe ky aplikim ishte i kundërligjshëm, pas fitimit të subvencioneve, aktakuza shkruan se Hasan Maxharraj merr ryshfet nga Gjon Musolli në vlerë të 7 mijë eurove.
Në pikën tjetër të kësaj aktakuze, thuhet se Gjon Musolli kishte përgatitur dokumentacion për të aplikuar për subvencione në emër të familjarit Leonard Musollaj dhe të pandehurit Hasan Maxharraj i kërkon që të ndryshojë kërkesat në formularin për aplikim duke plotësuar të dhëna të pasakta në këmbim që t’i jepet ryshfet gjysma e përfitimit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, dy të pandehurit paraqesin të dhëna të pasakta kinse ka kulturë bimë mjekësore dhe aromatike dhe përfiton subvencion 7 mijë e 537 euro, ndërsa këstin e dytë nuk e aprovon Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, kështu duke mos u realizuar tërësisht marrëveshja për ryshfet.
Pika e dytë e aktakuzës, thotë se i pandehuri Hasan Maxharraj në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim pasuror nga Gjon Musolli që të ushtrojë ndikim të zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë që t’i përshpejtojë pagesat dhe parat e subvencioneve t’i aprovohen.
Pas aprovimit të pagesave, aktakuza e ngarkon Hasan Maxharraj se ka pranuar 2 mijë euro ryshfet nga Gjon Musolli në dyqanin e tij në Istog.
Aktakuza thotë se nga periudha 3 shkurt 2021 deri më 10 shkurt 2021 në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, të pandehurit Luan Statovci si drejtor për Pagesa Direkte dhe Berat Nika, zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë, pranojnë ryshfet nga Halit Berisha përmes Pajtim Krasniqit që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Halit Berisha dhe Pajtim Krasniqi kishin aplikuar për subvencione më të dhëna të pasakta dhe Berat Nika kërkon dhe pranon ryshfet në vlerë të 7 mijë eurove pasi dy të lartcekurve t’i aprovohen pagesat.
Prokuroria pretendon se pas vendimit për pjesën e dytë të ekzekutimit të pagesave, Pajtim Krasniqi i jep ryshfet 5 mijë euro Berat Nikës të cilat i ndan përgjysmë me Luan Statovcin. Ndërsa për pjesën tjetër, Berat Nika thuhet se pranon 2 mijë euro ryshfet te banesa e tij nga Pajtim Krasniqi, të cilat i ndan me Luan Statovcin po ashtu.
Akti akuzues thotë se në periudhën 13 nëntor 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë, Luan Statovci me Sadat Shkodrën, i cili ishte zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi kërkojnë ryshfet nga Visar Krasniqi, që të veprojnë në pajtim me detyrën zyrtare.
Sipas PSRK-së, Visar Krasniqi kishte aplikuar për subvencione, mirëpo me arsyetimin se kinse dokumentet nuk janë në rregull, Luan Statovci në mënyrë të tërthortë i kërkon ryshfet ndërsa Sadat Shkodra e bën një gjë të tillë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Aty shkruan se pas kësaj, Sadat Shkodra takohet me një familjar të Visar Krasniqit dhe kërkon 30 mijë euro ryshfet për t’iu kryer lënda.
Ndërsa, për të pandehurin Lulzim Hajdaraj, aktakuza thotë se më 6 dhjetor 2020 si inspektor teknik pranon ryshfet nga Gjon Musolli që të veprojë në kundërshtim me detyrat zyrtare. Gjatë kontrollit të aplikimit për subvencione në emër të Leonard Musollaj, sipas aktakuzës i pandehuri Lulzim Hajdaraj së bashku me kolegun e tij, Blerim Mulliqi gjejnë mospërputhje të gjendjes faktike teren. Dy zyrtarët ngarkohet se hartojnë rrejshëm raportin kinse gjendja është në rregull dhe pranojnë 500 euro ryshfet nga Gjon Musolli të cilat edhe i ndajnë.
Aktakuza e ngritur nga PSRK-ja thotë se Musa Nikovazi si inspektor teknik së bashku me kolegun e tij Bajram Gashin më 6 tetor 20220 kanë kryer kontrolle në lëndën ku aplikimi për subvencione ishte bërë në emër të Eduard Musollajt dhe gjejnë mospërputhje të gjendjes faktike me terrenin. Sipas akuzës, ata kishin gjetur se prona e paraqitur në aplikacion ishte e Komunës së Istogut.
Kështu, derisa i pandehuri Bajram Gashi qëndronte në veturë, Lulzim Hajdaraj ngarkohet se ka pranuar 500 euro ryshfet nga Gjon Musolli për ta paraqitur gjendjen si në rregull.
Po ashtu, thuhet se edhe gjatë inspektimit në lëndën në emër të Luigj Musollajt, të pandehurit Musa Nikovazi dhe Bajram Gashi vërejnë se prona e paraqitur në lëndë ishte e Komunës së Istogut dhe Kooperativës së Dubravës. Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se kanë pranuar 500 euro ryshfet nga i pandehuri Gjon Musolli për ta paraqitur gjendjen në rregull.
Me këto veprime sipas aktakuzës, Gjon Musolli përfiton në mënyrë të kundërligjshme në lëndën në emër të Luigj Musollajt subvencion në vlerë të 4 mijë e 500 eurove dhe subvencion në vlerë të 12 mijë e 600 eurove në lëndën në emër të Eduard Musollajt.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, 10 të akuzuarit të gjithë së bashku ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim në detyrë”, “Ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, si dhe “Mashtrim me subvencione”.
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...
NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit...
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...