Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin Naim Smajli është dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për vrasjen e djalit të tij E.S.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte shpallur më 8 mars 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit të përpiluar më 2 korrik 2024, i ka refuzuar si të pabazuaa ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit të të akuzuarit Smajli, avokatit Abit Asllani, ndërsa e ka vërtetuar dënimin me 25 vjet burgim ndaj Smajlit.
Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë e as nuk kishte shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Apeli ka gjetur se pretendimet e cekura ankimore janë të pabazuara, ngase nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Dispozitivi edhe arsyetimi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu, i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe gjithashtu, edhe përpilimi i dispozitivit është bërë konform dispozitave të nenit 369 par. 4 e lidhur me nenin 364 të KPPRK-se, ku, janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat përkitazi me ngjarjen kritike, fakte dhe rrethana këto nga të cilat plotësohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive te veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 par. 1 nën par.3 të KPRK- së, dhe veprës penale mbajtja ne pronësi, kontrolle ose posedim te paautorizuar te armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së, për të cilat i akuzuari N. S. edhe është shpallur fajtor”, thuhet në aktgjykim.
Gjithnjë sipas aktgjykimit të Apelit, në dispozitiv të aktgjykimit të shkallës së parë ishin përfshirë të gjitha veprimet inkriminuese të të akuzuarit Smalji që kishin të bëjnë me mënyrën se si i akuzuari kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit, pa qenë i sulmuar, i fyer apo i keqtrajtuar nga tani i ndjeri E.S.
Ndër të tjera, në aktgjykim thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë e kishte konstatuar se behej fjalë për vrasje të rëndë, e kryer me dashje direkte e jo sikur që pretendonte avokati Asllani për “Vrasje të kryer nën ndikimin e tronditjes së fortë mendore”.
Gjithashtu, Apeli vlerëson se gjykata e shkallës së parë, kishte dhënë arsye të qarta për vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe po ashtu, edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga i akuzuari Smajli.
“Konkludimi i gjykatës së shkallës së parë, se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.S., duke kryer kështu vepër penale të vrasjes se rëndë nga neni 173 par. 1 nën par. 3 te KPRK-së, e me këtë edhe të veprës penale mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 te KPRK-se, janë të drejta, të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresa tjera të lëndës”, thuhet në aktgjykim.
Sipas Apelit, nuk ka ekzistuar asnjë rrethanë që kishte mundur të ketë ndikim që i akuzuari Smajli të ketë vepruar nën ndikimin e tronditjes së fortë mendore dhe se gjykata e shkallës së parë, me të drejtë i ka refuzuar propozimin e avokatit Asllani për ekspertizë tjetër.
Po ashtu, në aktgjykim u theksua se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke shtuar se gjykata e shkallës së parë, drejt dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikonin në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.
I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.
Me këto veprime, Smajli akuzohej nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri më 13 qershor 2022, ka mbajtur në e armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ngarkohej se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person