Prishtinë- Gjykata e Apelit ka marrë vendim, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me 1 vit burgim për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik,
Gjykata Themleore në Prishtinë, më 19 tetor 2022, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit Todosijeviq, me të cilin Todosijeviq ishte dënuar me 1 vit burgim.
Përmes një komunikate për medie, Apeli ka njoftuar se vendimi i Themelores në rastin e Todosijeviq, është vërtetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arsyetimin e aktgjykimit të Apelit, thuhet se ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ajo e mbrojtësit të dënuarit Todosjeviqit, avokatit Nebojsha Vllajiq, janë të papabazuara.
Në vendimin e Apelit thuhet se pretendimet e Prokurorisë për sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike të cilat prokuroria pretendon se kanë shkaktuar shkeljen e Ligjit Penal e që ndërlidhen me rikualifikimin e veprës penale janë të pabazuara.
Po ashtu, sipas Apelit pretendimi i Prokurorisë se Todosjeviq ka marrë pjesë në një tubim si person zyrtar- ministër dhe ka kryer veprën penale nga neni 147, paragrafi 2, është i pabazuar.
“Kjo për shkak se një Ministër nuk mund të merr pjesë në një organizim ku në vet vete ka mos përputhje me qëndrimet e atij organizimi, ndërsa vetëm faktik se ai ka pasur funksionin e Ministrit kjo nuk mund të konsiderohet se i njëjti ka vepruar në cilësinë e personit zyrtar-si ministër kur edhe e ka bërë deklarimin”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Kjo Gjykatë ka gjetur se shkalla e parë me të drejtë dhe në mënyrë të plotë ka bërë vërtetimin e gjendjes faktike dhe drejt ka vepruar kur ka bërë rikualifikimin e veprës penale dhe kur e ka shpallur fajtor Todosjeviqin për veprën penale nga nenin 147, paragrafi 1 të KPRK-së.
“Pasi që rezulton se në veprimet e të akuzuarit janë konsumuar elementet e veprës penale nga nenin 147 paragrafi 1 të KPRK-së, rrjedhimisht drejtë është aplikuar ligji penal në raport me të akuzuarin kur e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
Po ashtu, si të pabazuara Apeli i ka gjetur edhe pretendimet e Prokurorisë se gjykata e shkallës së parë nuk i ka peshuar drejt rrethanat për matjen e dënimit.
Gjithashtu, pretendimet e Prokurorisë për një dënim më të ashpër në këtë çështje janë të pabazuara për faktin se Prokuroria nuk ka propozuar asnjë rrethanë që nuk është vlerësuar nga Themelorja.
Ndërkaq, lidhur me pretendimet e mbrojtjes për shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli ka gjetur se aktgjykimi nuk është i përfshirë në shkeljet e lartcekura që do të kushtëzonin anulimin e tij.
“Më konkretisht aktgjykimi në dispozitiv përmban të gjitha rrethanat e fakteve që si të tilla shpërfaqin konsumimin e elementeve të figurës së veprës penale për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor, dispozitivi është i qartë dhe konkret tregon kohën e kryerjes së veprës penale, vendim se ku është kryer vepra penale, veprimin konkret të të pandehurit dhe rrezikun që mund të prishin rendin publik”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
Kolegji i Apelit po ashtu ka gjetur si të pabazuara pretendimet e mbrojtjes se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vepër penale, por me delikt verbal përkatësisht me të drejtën e lirisë se shprehjes të përcaktuar sipas KEDNJ-së.
“Deklarimet e tilla të të pandehurit, në kontekst të rrethanave shpërfaqin plotësisht qëllim të urrejtjes, kjo për faktin se, tubimi ishte i organizuar nga qytetarët e komunitetit serb, kur ai merr fjalën, përdor shprehjet përbuzëse dhe fyese me epitete për një grup tjetër kombëtar në rastin konkret për shqiptarët, ngase, cilëson rrethana të ngjarjes gjatë vitit 1999 – Reçakun, si shpikje që është një shprehje fyese dhe përbuzëse për një komunitet, por posaçërisht për viktimat që kane pësuar në atë ngjarje, po ashtu përdor epitetet për një komunitet të tërë “ terroristët shqiptar” që kjo fjali në vetvete vënë theksin e mos durimit kombëtar si qëllim pasi që në tërësi përfshin komunitetin me epitetin “ terroristet shqiptar”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.
“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë
Ish-ministrit Ivan Todosijeviq i është ngritur aktakuza në korrik të 2019-ës pasi më 2018 kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut, ku në janar të vitit 1999 ishin vrarë 45 civilë nga ushtria e shtetit serb.
Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2021.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.
Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.
Ndryshe, Todosjeviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri Todosijeviq në cilësinë e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.
Sipas akuzës, më 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...