Apeli rikonfirmon dënimin ndaj ish-prokurores Vahide Badivukut

09:43 | 14 Qershor 2017
L G

Ish-prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivuku do t’i rikthehet burgut të Lipjanit.  “Arbresh.info” ka mësuar se Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë prej 3 vjet burg efektiv.

Ish-prokurorja Badivuku ishte liruar me 15 maj nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, pasi  Gjykata Supreme e Kosovës kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për të dënuarën dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Supremja  çështjen e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit, e cila tashmë ka vendosur për  të dytën herë për këtë rast.

“Arbresh.info”, po ashtu mëson se dy të dënuarve tjerë të këtij rasti, Isak Smakolli dhe Idriq Kelmendi gjykata ua ka  zbutur dënimin.

Ndryshe, ish-prokurorja e krimeve të rënda, Vahide Badivuku ishte arrestuar në gusht të vitit 2015, dhe akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim të organizuar.

Prokuroria e akuzonte Badivukun se kishte marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime. Sipas prokurorisë, prokurorja Badivuku kishte kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro, përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.

Gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, ku edhe ishte arrestuar në çantën e prokurores së krimeve të rënda ishte gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pati gjetur Badivukun fajtore për veprat penale për të cilat akuzohej, duke e dënuar atë me  3 vjet burg efektiv, 5 mijë euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të profesionit për tri vjet.   I akuzuari tjerë, Isak Smakolli ishte  dënuar me 3.000 euro gjobë, si dhe  Idriz Kelmendi, ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim. / Arbresh.info/ Gita Lushi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme