Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit Shqipdon Fazliu dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e cila e kishte hudhur poshtë padinë si të paraqitur pas kalimit të afatit.
Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës së Apelit, vendim ky që mban datën 1 shtator 2022, thuhet se ankesa e prokurorit Fazliu refuzohet si e pabazuar.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Fazliu ka thënë se nuk ka pranuar asnjë vendim nga Apeli e as që është në dijeni nëse kjo e fundit ka marrë vendim lidhur me ankesën e tij.
Ndryshe, me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, të 2 gushtit 2022, është vendosur të hudhet poshtë padia si e paraqitur pas kalimit të afatit.
“HEDHET POSHTË si e paraqitur pas kalimit të afatit Padia dhe Propozimi, i paditësit-propozuesit SH.Z.F. nga Gjilani, lënda me shenjën A.nr.1875/22, e dorëzuar në gjykatë me dt. 28.07.2022, për Inicim të Konfliktit Administrativ, për Anulim të Vendimeve të të paditurës-KPK të dt. 06.04.2022, me të cilin Z. B.I. është propozuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe vendimit të KPK/nr. 474/2022-për Refuzimin e Raportit të Komisionit për Rishqyrtim, me Propozim që të bëhet shtyrja e ekzekutimit të te dy vendimeve me numër dhe datë të cekura më lartë, deri në nxjerrjen përfundimtare të vendimit definitiv gjyqësor, lidhur me këtë çështje”, thuhej në dispozitivin e vendimit të shkallës së parë.
Ndaj këtij vendimi, në afat ligjor kishte paraqitur ankesë prokurori Fazliu, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës administrative, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Përmes kësaj ankese, i njëjti kishte propozuar që ankesa e tij të aprovohet si e bazuar dhe vendimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në shkallën e parë.
Lidhur, me ankesën e prokurorit Fazliu, siç thuhet në vendimin e Apelit përgjigje në ankesë ka paraqitur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duke i propozuar Apelit që ankesa e prokurorit Fazliu të refuzohet si e pabazuar.
Në arsyetimin e vendimit të Apelit, thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar së përfundimi dhe qëndrimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.
Gjithashtu, sipas këtij arsyetimi thuhet se edhe Ligji për Konfliktet Administrative është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.
“Gjithashtu edhe Ligji për Konfliktet Administrative është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ngase edhe sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj Gjykate, në rastin konkret nuk është plotësuar prezumimi procedural që i referohet afatit për inicimin e konfliktit administrativ, ashtu siç është përcaktuar me 27 paragrafi 1 të Ligjit për Konfliktet Administrative, dhe duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, kolegji apelit e pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një përfundim të tillë të Gjykatës së shkallës së parë” thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Apeli në këtë vendim ka theksuar se paditësi pas pranimit të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 28 korrik 2022, ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, duke lëshuar kështu afatin prej 30 ditësh, për të ushtruar padi në gjykatë, ashtu siç kërkohet me nenin 27 paragrafi 1 të Ligjit për Konfliktet Administrative, i cili nen përcakton se “1. Padia paraqitet brenda tridhjetë (30) ditësh, që nga data e dorëzimit të aktit administrativ përfundimtar palës”.
Në këtë vendim, thuhet se gjykata është marrë edhe me pretendimin e paditësit se “Paditësi ka argumentuar se deri te data e ushtrimit të padisë ekziston gabimi i hapur i paraqitësit në drejtimin e padisë në organin jo kompetent dhe shkaku i arsyeshëm që nuk ka mund të parashikohet e as të evitohet, se janë krijuar praktika të atilla që lidhur me kërkesat për kandidatë të Kryeprokurorit të Kosovës që fillimisht do të duhej drejtoheshin Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamentit për Çështje Administrative, vendosë Gjykata Kushtetuese, pa u iniciuar paraprakisht rasti në gjykatën kompetente. Provë: Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, KI100/14: KI34/17: si dhe K155/17…”.
Mirëpo, sipas vendimit të kësaj gjykate thuhet se lidhur me pretendimin e lartcekur kolegji i Apelit e vlerëson si të pabazuar, për faktin se paditësi nuk mund të thirret në gabimin e hapur të tij në drejtimin e padisë në organin jokompetent, duke u bazuar në tri raste kur Gjykata Kushtetuese, e ka marrë kompetencën e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamentit për Çështje Administrative.
Tutje, në arsyetim të këtij vendimi thuhet se paditësi dhe autorizuari tij kanë arsimim të duhur ligjor, dhe se kanë qenë dashur të dinë se rendi juridik në Republikën e Kosovës, është ndërtuar mbi bazën e ligjeve e jo të precedentit gjyqësor, dhe se sipas ligjeve të aplikueshme në Kosovë, Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative, ka kompetencë ekskluzive për të vlerësuar ligjshmërinë e akteve përfundimtare të nxjerra në procedurë administrative nga ana e organeve administrative, e jo të ndiqet precedenti gjyqësor, i krijuar nga Gjykata Kushtetuese me tri raste, dhe në këtë kuptim ky pretendim i paditësit është i paqëndrueshëm, e rrjedhimisht edhe i pabazuar.
Kolegji i Apelit është marrë edhe me pretendimin për kthim në gjendje të mëparshme të prokurorit Fazliu dhe sipas Apelit nuk mund të aplikohet kthimi në gjendje të mëparshme.
Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se kolegji i Apelit ka vlerësuar edhe pretendimet tjera ankimore nga ankesa e paditësit, por të njëjtat i vlerësoi pa ndikim në vërtetimin e një gjendje tjetër faktike nga ajo e vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë.
Në fund të këtij vendimi, thuhet se mbi këtë gjendje të fakteve kolegji ka gjetur se shkalla e parë ka vendosur në mënyrë të drejtë, dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale, dhe se nuk është cenuar ligji në dëm të paditësit me rastin e hedhjes poshtë të padisë.
Sipas Apelit, aktvendimi i shkallës së parë përmban arsye të mjaftueshme dhe bindëse për gjendjen faktike dhe juridike, për të vendosur në këtë çështje juridike, të cilat në tërësi i aprovon edhe kolegji i Apelit, dhe në këtë kuptim ankesa si e tillë refuzohet, ndërsa aktvendimi i goditur me ankesë vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 4 korrik 2022 kishte shpallur si të papranushme kërkesat e parashtruara nga Shqipon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit, të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit t’i shpallë të papranueshme.
Ndryshe, KPK në mbledhjen e 214-të, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo zgjedhje e Kelmendit ishte bërë pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatë (7) vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.
Më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.
Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.
Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.
Ndërsa, presidentja Osmani me 21 prill 2022 kishte pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.
Presidentja Osmani deri më tani ende nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të prokurorit Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...