Google ADS

Apeli liron nga akuza për marrje të ryshfetit ish-zyrtarin e lartë të PTK-së, Gazmend Isufin

10:48 | 20 Nëntor 2017
L G

Gjykata e Apelit, në mungesë të provave, ka liruar nga akuza për “marrje të ryshfetit” ish-drejtorin e Kontrollit të Brendshëm në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), Gazmend Isufin.

Isufi, më 30 maj të këtij viti, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1 vit burgim me kusht dhe 5000 euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor për pikën e aktakuzës ku thuhet se, ai kishte kërkuar dhe marrë para për t’i punësuar familjarët e personave nga të cilët i kishte pranuar ato shuma.

Së bashku me Isufin, Apeli ka liruar edhe gjashtë të pandehurit tjerë për “dhënie të ryshfetit”, Zyhdi Hajzeri, Veton Morina, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri, Valon Kuqi dhe Agim Zeqiri. Ky i fundit akuzohej edhe për “shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Agim Zeqiri ishte dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë, Zyhdi Hajzeri me 1 vit burgim me kusht dhe 1500 euro gjobë, Veton Morina me 1 vit burgim, me kusht dhe dhe 1000 euro gjobë.

Ndërkaq, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri dhe Valon Kuqi ishin dënuar  me nga 6 muaj burgim me kusht dhe me nga 500 euro gjobë.

Mirëpo, në vendimin e  Gjykatës së Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se  provat të cilat janë administruar në shqyrtim kryesor, nuk kanë vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar dhe shpallur fajtorë nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Sipas Apelit të vetmet prova  në të cilat mbështetet aktgjykimi i shkallës së parë, e të cilat janë të papranueshme, janë deklaratat e të akuzuarve, të dhëna në polici në cilësi të dëshmitarëve.

Tutje, në vendimin e Apelit, po ashtu thuhet se shkalla e parë aktgjykimin e kishte bazuar edhe në përgjimet telefonike, por nuk shihet se çka është vërtetuar përmes tyre.

Sipas aktakuzës  së  Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gazmend Isufi në pozitën e Drejtorit të Kontrollit të Brendshëm në Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), ka kërkuar dhe ka marrë shuma të ndryshme parash, gjithsej 16 mijë euro, nga të pandehurit Agim Zeqiri, Zyhdi Hajzeri, Veton Morina, Nerxhivane Daka, Gëzim Curri dhe Valon Kuqi, për punësimin e familjarëve të tyre në PTK, për të cilët rëndon vepra penale “dhënia e ryshfetit”.

Ndërkaq, i pandehuri Agim Zeqiri, akuzohet edhe për veprën penale “shkelja e fshehtësisë së procedurës”, pasi që i njëjti e ka njoftuar të pandehurin Isufi për deklaratën e dhënë në polici, duke i zbuluar informatat e procedurës zyrtare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme