Google ADS

Apeli liron nga aktakuza Haki Rugovën, i cili u dënua nga gjykata e shkallës së parë me 1 vit burgim për korrupsion

13:17 | 1 Dhjetor 2021
Përparim Bublaku

Gjykata e Apelit e ka liruar nga aktakuza ish-kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti, për konflikt interesi në nënshkrimin e tenderit për vëllanë e tij.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton Gjykata e Apelit ka gjetur se në veprimet e Rugovës nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale, pasi nënshkrimi i tij nuk mundësoi realizimin financiar për dhënien e tenderit.

Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.
Ndryshe, në qershor të këtij viti i akuzuari Rugova ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 1 vit burgim dhe ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti.

Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë avokati Besnik Berisha, pasi sipas tij aktgjykimi përmban shkelje të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, ndërsa Prokuroria e Apelit kishte dhënë propozim të refuzohej si e pabazuar ankesa e avokatit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme