Apeli lë në fuqi aktakuzën për krime lufte ndaj Darko Tashiq

13:39 | 16 Korrik 2018
Arbresh.info

Gjykata e Apelit të Kosoves ka refuzuar ankesat e mbrojtjes së Darko Tashiq, të akuzuarit për krime të luftës në Krushë të Vogel, të paraqitura ndaj aktvendimit me të cilin ishin refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Me fjalë tjera, aktakuza u konfirmua dhe do të ketë gjykim.

Sipas asaj që ka raportuar KALLXO.com, më shumë se 19 vjet nga kohët kur ishin kryer këto vepra, një prokuror i Prokurorisë Speciale nga EULEX-i ka ngritur aktakuzë ndaj Darko Tashiq, i cili ngarkohet më dy pika të akuzës për krime të luftës të kryera në Krushë të Vogël.

KALLXO.com kishte siguruar ekskluzivisht aktakuzën që rëndon ndaj Darko Tashiq e cila e rëndon atë për dy vepra penale në lidhje me shkatërrimin e pronave të shqiptarëve dhe përdhosjen e trupave të pajetë.

Tashiq akuzohet se ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999 në lagjen e njohur si Lagja “Hajdari” në Krushë të Vogël të Prizrenit, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhjen në shkallë të gjerë të pasurisë.

Sipas aktakuzë e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin të K.H. si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Tashiq, akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm që nuk justifikohej me nevoja ushtarake sikurse dhe sulmit të rëndë dhe/ose mizor ndaj dinjitetit njerëzor.

Pika tjetër, e akuzës që rëndon ndaj Tashiq është po ashtu për krime të luftës.

Data ndërmjet 26 dhe 27 marsit 1999 shënon kohën që sipas aktakuzës, Tashiq si pjesëtar rezervë  i Policisë së Jugosllavisë së bashku me kryes të tjerë të forcave të MPB-së, mori pjesë në përdhosjen e trupave të pajetë të një numri personash të paidentifikuar duke i djegur ata trupa të pajetë në mënyrë të paligjshme/ose duke kërkuar shkatërrimin e tyre duke i hedhur ata trupa në mënyrë të pahijshme në lumin Drin në një vend që ndodhet jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Këto veprime sipas aktakuzës ndaj Tashiq përbëjnë sulm të rëndë dhe/ose mizor ndaj dinjitetit personal dhe njerëzor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme