Gjykata e Apelit ka liruar nga akuzat 12 asistentët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës (UP), të cilët në korrik të këtij viti ishin dënuar me burg dhe gjobë për regjistrime në fakultete përkatëse, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe kalimin e jashtëligjshëm të provimeve.
Përmes aktgjykimit, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë më 27 tetor të këtij viti, kur edhe është mbajtur seanca e kolegjit të Apelit, kishte aprovuar pretendimet e avokatëve dhe të akuzuarve, të cilët kishin ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i shpallur më 6 korrik të këtij viti.
“Duke shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë në pjesën për të cilën është ushtruar ankesë dhe sipas detyrës zyrtare konform dispozitës së nenit 394 të KPPK-së përkitazi me shkeljet e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se me aktgjykimin e kundërshtuar është shkelur ligji penal në anën e të akuzuarve Esat Belaj, Gazmend Maliqaj, Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ngase në këtë rast ndjekja penale është parashkruar respektivisht ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, thuhet në aktgjykim.
Po ashtu, në këtë aktgjykim theksohet se të të pandehurit nuk kanë qenë persona zyrtarë për kohën që janë akuzuar.
“Gjykata e Apelit me vëmendje ka shqyrtuar shkresat e lëndës së bashku me aktgjykimin e atakuar si dhe ankesat ashtu që vlerëson se këto ankesa janë të bazuara. Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallë fajtorë si në dispozitiv të aktgjykimit të shkallës së parë, për faktin se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kishin pozitën e personit zyrtar për të mundur që të kryejnë vepra penale”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata Themelore në Prishtinë dënimin më të lartë i kishte shqiptuar ish-kryetarit të organizatës studentore “Reforma”, Esat Belaj, i cili për tetë vepra penale që lidhen me “marrje të ryshfetit”, “ushtrim të ndikimit” dhe “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, ishte dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Kemajl Gashi, për “ndihmë në ushtrim të ndikimit”, ishte dënuar me 7 muaj burgim dhe 1500 euro gjobë.
Arian Janova, për “ushtrim të ndikimit”, i ishte shqiptuar dënimi prej 8 muajsh burgim. E për të njëjtën vepër penale ishin dënuan edhe Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri, të cilëve iu shqiptuar me nga 8 muaj burgim dhe 5000 gjobë.
Leonard Bytyçi, për “ndihmë në marrje të ryshfetit”, ishte dënuar me 8 muaj burgim, ndërsa për të njëjtën vepër, Kushtrim Morina, ishte dënuar më 7 muaj burgim.
Arton Hoti, për veprat penale “ndihmë” lidhur me veprën penale “ushtrim i ndikimit”, ishte dënuar me 7 muaj burgim dhe 4000 euro gjobë, ndërsa Muhamed Maliqi, për veprën penale ndihmë në “marrje të ryshfetit”, i ishte shqiptua dënimi prej 8 muajsh burgim.
Albion Haxhijaha, për veprën penale “marrje ryshfeti”, ishte dënuar po ashtu me 8 muaj burgim.
Për “dhënie të ryshfetit”, ishin dënuar me nga 3 muaj burgim të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orllati.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, këto dallavere të akuzuarit i kishin bërë përgjatë viteve 2009 dhe 2012.Në përshkrimin e aktakuzës, veprimet e tyre kishin të bëjnë me marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.
Në këtë proces gjyqësor, të akuzuar ishin Esat Belaj për veprat penale “marrja e ryshfetit”, “ushtrim i ndikimit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”. Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevledun Beqiri për veprat penale “ushtrim i ndikimit”. Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, për veprat penale “ndihmë” dhe “ushtrim i ndikimit”. Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi për veprat penale “marrje ryshfeti”, dhe të akuzuarit Shaqir Reçica dhe Amonda Orrllati për “dhënie të ryshfetit”.
Panik në kullën Eifel, zjarr në ashensor
Gucati: U njoftova nga Specialja se e kam përfunduar dënimin...
Anija ruse Ursa Major fundoset në Detin Mesdhe
Gjesti e këshillon Xhenetën: Mos merr ndonjë vendim që do të...
Hamza prezanton programin: Është koha për një qeveri që dëgj...
City kthehet pas në kohë, krizë rezultatesh si në vitin 2008