Apeli i Gjykatës Speciale ia zbut dënimin Salih Mustafës, ia zbret në 15 vite burgim

18:12 | 10 Shtator 2024
E.G

Paneli i Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ia ka ulur dënimin Salih Mustafës, duke ia zbritur në 15 vjet burgim nga 22 vjet sa i ishin shqiptuar.

Vendimi është marrë sot, shkruan Arbresh.info.

“Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z. Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vitesh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim”, thuhet në vendim

“Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit”, thuhet tutje./Arbresh.info/

Të ngjashme