Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim me të cilin rastin e njohur si “Stenta” e ka kthyer në rivendosje.
Në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për këtë rast, është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 e lidhur me nenet 245, 249 dhe 250 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Gjithashtu, në aktvendimin e Apelit thuhet se shkalla e parë nuk i ka respektuar të drejtat e parapara për mbrojtje profesionale të të pandehurve, ku ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar pa praninë e mbrojtësve të të akuzuarve, ndërsa, për disa nga të pandehurit tjerë ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar pa vendosur më parë për kërkesat e tyre për caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike.
Në aktvendimin e Apelit, po ashtu, thuhet se shkalla e parë në arsyetimin e saj nuk ka dhënë fare arsye të qarta se cilat janë ato prova në bazë të cilave, është ngritur aktakuza e që e mbështesin dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen me aktakuzë.
Në të, theksohet se gjykata e shkallës së parë, në rivendosje duhet t’i eliminojë shkeljet e lartpërmendura dhe atë së pari t’i respektojë dispozitat procedurale të parapara sipas nenit 245 të Kodit të Procedurës Penale, për praninë e palëve.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe mbrojtësit e të akuzuarve në këtë rast, avokatin Adem Vokshi që e përfaqëson ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani, avokatin Florin Vërtopi që mbron Shpend Elezin si dhe mbrojtësin e të akuzuarit Ali Hocaoglu, avokatin Behar Ejupi, të cilët kanë deklaruar se ende nuk e kanë pranuar këtë aktvendim dhe nuk e dinë përmbajtjen e tij.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe 62 të akuzuar tjerë në rastin e njohur “Stenta”, më 5 shtator 2017, ishin ankuar në Gjykatën e Apelit lidhur me refuzimin e kërkesës së tyre për hedhje të aktakuzës nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kjo gjykatë, në gusht të këtij viti, kishte refuzuar kërkesën e mbrojtësve për hedhjen e aktakuzës, me arsyetimin se provat e propozuara në aktakuzë krijojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit janë kryerësit e veprave penale për të cilat ngarkohen.Prokuroria e Shtetit më 15 Qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.Ferid Agani dhe 61 të akuzuar të tjerë ishin deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 19 maj 2017.
Edhe i akuzuari Hajdin Çitaku, i cili kishte munguar në shqyrtimin fillestar të 19 majit, ishte deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 25 maj 2017.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Rasti “Stenta” njihet si rasti më i madh i ngritjes së aktakuzës për korrupsion nga prokurorët, e cila po sfidohet të trajtohet në praktikë nga Gjykata për shkak të numrit të madh të personave të akuzuar.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Leëandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...