Google ADS

Apeli e kthen në rivendosje rastin ndaj ish-kryetarit të Drenasit

11:46 | 13 Shkurt 2019
L G

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje në shkallë të parë, lëndën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, dhe ish-drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj, të cilët po akuzohen për keqpërdorim detyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 dhjetor 2018, kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të ushtruara nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, duke e lënë në fuqi aktakuzën ndaj Demakut dhe Tahirajt.

Sipas kryetares së trupit gjykues në shkallë të parë, gjykatëses Shpresa Hasaj –Hyseni, gjykata kishte vendosur që t’i refuzojë këto kërkesa për shkak të natyrës së veprës penale, duke konsideruar se kishte prova të mjaftueshme për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktvendimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Kjo sepse, siç thuhet në aktvendim, gjykata e shkallës së parë me rastin e refuzimit të kërkesave të mbrojtjes për hudhje të aktakuzës, nuk ka dhënë arsye të qarta por vetëm ka bërë parafrazimin e dispozitave ligjore.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë, duke vendosur lidhur me pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve, vetëm ka konstatuar se të njëjtat pretendime nuk qëndrojnë, mirëpo në rastin konkret, sipas Apelit, as vet gjykata nuk ka dhënë arsyetim se me cilat prova bazohet dyshimi i bazuar ndaj të akuzuarve.

Në fund Apeli e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që në rivendosje t’i eliminojë këto shkelje dhe të qartësoj dhe të arsyetojë mirë refuzimin e pretendimeve të mbrojtësve në kërkesat e tyre për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 10 mars 2015, ia ka lëshuar akt emërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit, në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej 5 Mars 2015 deri më 5 mars 2016, si dhe me 20 janar 2016, në kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018.

Këtë akt emërimin, Demaku akuzohet se ia kishte lëshuar Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të tij, pretendon se Berishës i kishte sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar edhe Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Berishës, prokuroria po ashtu pretendon se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.Sipas prokurorisë, Tahiraj duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe me 3 nëntor 2014 ia kishte lëshuar asaj vendimin, në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzës ai me 5 mars 2015, ia kishte lëshuar vendimin Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast Berishës i kishte sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, duke i shkaktuar dem edhe buxhetit të komunës në vlerë prej 756.18 euro. /Betimipërdrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme