Apeli cakton seancën e kolegjit ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes

16:12 | 29 Janar 2018
L G

Seanca e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit ndaj deputetit të Vetëvendosjes dhe tre aktivistëve të kësaj partie, është caktuar në muajin shkurt.

Gjatë kësaj seance kolegji do të shqyrtojë ankesat e të gjitha palëve.

Rasti i katër aktivistëve të Vetëvendosjes, deputetit Frashër Krasniqi, aktivistëve Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, i është dorëzuar Gjykatës së Apelit kah mesi i këtij muaji.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Kjo lëndë ka ardhur në Gjykatën e Apelit më 16.01.2017. Seanca e kolegjit do të mbahet gjatë muajit shkurt, të këtij viti”, është shprehur Jashari.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë në aktgjykimin e saj pati shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Katër aktivistët e VV-së janë dënuar me gjithsej 21 vjet burg nga shkalla e parë.

Deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me tetë vjet burgim, aktivisti Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, si dhe aktivistja Adea Batusha ishte dënuar me dy vjet burgim./ Gita Lushi/ Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme