Google ADS

Apeli anulon vendimin për vazhdimin dymujor të masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit

15:49 | 8 Gusht 2023
E.H

Gjykata e Apelit përmes aktvendimit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin Krasniqit i ishte vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Nagip Krasniqi dyshohet për korrupsion në cilësinë e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas vendimit të Apelit, i pandehuri Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës së shkallës së parë.

Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.

Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interes”.

Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia kishte caktuar drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Krasniqit, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta lirojë të pandehurin nga paraburgimi duke i caktuar një masë më të butë.

Ndërsa, më 8 maj 2023, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, duke e lënë të njëjtin nën masën e paraburgimit, me arsyetimin se mund të ndikojë në dëshmitarë.

Po ashtu, kërkesë për lirimin e Krasniqit nga masa paraburgimit, mbrojtja kishte ushtruar edhe në Supreme, mirëpo edhe shkalla e tretë e kishte refuzuar.

Ndryshe, Nagip Krasniqi më 25 prill 2023 është pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme