Anulohen vendimet e ish-ministrit Konjufca për kthimin e ambasadorëve

15:04 | 1 Korrik 2020
Arbresh.info

Vendimet e marra nga ish ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca janë anuluar, ka bërë të ditur ish- këshilltari i tij, Kreshnik Ahmeti.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se ndër vendimet që janë anuluar janë ato për kthimin e shefave të misioneve, largimi nga Shërbimi Diplomatik të 14 konsujve të cilët ishin dërguar në misione pa kaluar në procedura paraprake e pa qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Lexoni të plotë postimin e Ahmetit në Facebook:

“Qeveria ilegjitime paska vendosur që t’i anulojë të gjitha vendimet e kabinetit të Ministrit Konjufca.

T’i kujtojmë se për cilat është fjala:

Propozimi për kthimin e shefave të misioneve të cilët shkelin nenin 7.8 dhe krijojnë situatë e cila është në shpërputhje me nenin 7.7 të Ligjit Nr. 03/L-207:

Së paku pesëdhjetë për qind (50 %) të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Të emëruarit në pozitën e Ambasadorit dhe Shefit të Misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm.

Largimi nga Shërbimi Diplomatik i 14 konsujve të cilët ishin dërguar në misione pa kaluar në procedura paraprake e pa qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Këto vendime të qeverisë ilegjitime janë plotësisht në shpërputhje me aktet ligjore dhe nënligjore për MPJ-në dhe Shërbimin e Jashtëm dhe janë pjesë e kapjes së shtetit dhe klientelizmit të subjekteve të cilat aktualisht janë pjesë e qeverisë ilegjitime apo shtiren se janë opozitë e saj.

Hoti është bërë ekzekutues i vendimeve të njerëzve të afërt të Thaçit, të cilët sot sillen nëpër korridoret e MPJ-së në rolin e këshilltarëve dhe e drejtojnë këtë Ministri, duke mos ua njohur përgatitjen, kontributin dhe meritat diplomatëve të karrierës të cilët janë të angazhuar në MPJD dhe duke u hapur rrugë personave të cilët brenda natës po vishen me petkun e diplomatit në misionet tona jashtë vendit, për t’i barazuar llogaritë e klientelizmit këtu në Kosovë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme