Google ADS

Anton Vukpalaj ekskluzivisht për arbresh.info flet për “barrët” e Kurtit, dialogun, kufijtë dhe rolin e shqiptarëve në rajon

09:48 | 30 Maj 2021
Përparim Bublaku

Anton Vukpalaj, studiues i shkencave politike, sociologjisë politike, politikës krahasuese dhe integrimeve evropiane në Universitetin Francez të Sorbonës, flet ekskluzivisht për arbresh.info në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vukpalaj ka botuar punime të shumta dhe ka hulumtuar dhe botuar gjerësisht mbi Ballkanin Perëndimor si bashkëpunëtor i pavarur shkencor në Institutin e Shkencave Sociale e Politike (ISP) në Paris që nga tetori 2004. Në 2011 ai u bë një anëtar i rregullt i ISP. Që nga viti 2006 ai është një bashkëpunëtor shkencor i Grupit të Analizave Politike(GAP) në Universitetin e Parisit. Që nga viti 2011 ligjëron edhe në Universitetin e Prishtinës, Departamentin e Shkencave Politike.

Arbresh. info: z.Vukpalaj faleminderit që pranuat të intervistoheni nga portali arbresh në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë. Dua të fillojmë me politikën e brendshme. Që nga pas lufta kryesisht në pushtet ishin partitë që tash janë në opozitë. Së fundi mori pushtetin një parti që për shumë kohë ishte opozitare, dhe ajo ka shumicën edhe në Parlament. Si ju duken këto ndryshime në politikën kosovare?

Vukpalaj: Kemi të bëjmë me një alternim të pushtetit i cili është një nga parimet bazë te çdo sistemi demokratik. Shkon një pushtet, vjen një tjetër. Kështu funksionojnë demokracitë gjithandej. Risi e këtij ndryshimi është se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur numra që asnjë pushtet më parë nuk i kishte arritur. Kjo i jep asaj komoditet për t’i votuar ligjet dhe për të marrë vendime. Por edhe përgjegjësia në këtë rast është më e madhe. Nëse kësaj ia shtojmë edhe premtimet elektorale ambicioze të saj atëherë ka një barrë edhe më të madhe mbi pushtetin e saj.

Arbresh. info: Liderët aktual, janë kryesisht të rinj dhe po ashtu edhe në përvojën politike. Si ju duket angazhimi i tyre që nga vendosja e tyre në Presidencë, Kuvend dhe Kryeministri? Dhe, cila është rruga që do të duhej të ndiqnin, sipas juve?

Vukpalaj: Në raste të caktuara, mungesa e eksperiencës mund të jetë edhe përparësi. Sidomos në fazat e zgjedhjeve sepse njerëzit kanë nevojë për fytyra të reja dhe autsajdera. Por më pas, kjo mungesë e eksperiencës është handikap për të qeverisur sepse një qeverisje e mirë kërkon ekspertize dhe eksperiencë. Në Kosovë kemi një situate të ngjashme ku Lëvizja Vetëvendosje ka përfituar nga fakti se ka qenë shumë shkurt në pushtet më pare dhe është thirrur në pastërtinë e saj sa i përket korrupsionit etj. Por kjo mungesë e eksperiencës në qeverisje do të jetë problematike për një qeverisje të mirë. Këtë po e shohim në hapat e parë të punës së qeverisë së re. Në demokracitë perëndimore, politikanët pa eksperiencë e kompensojnë këtë duke ftuar personalitete të eksperimentuara përreth vetes të cilët u shërbejnë si burojë për ta fshehur atë. Në Kosovë ka deficit të madh sa u përket ekspertëve dhe sigurisht se kjo nuk i shkon në favor qeverisë aktuale.

Arbresh.info: Profesor, të flasim pak edhe për politikën e jashtme. Si i keni parë zhvillimet në lidhje me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes të cilave pretendohet njohja reciproke ndërmjet dy shteteve? Dhe, cila do të duhej të ishe qasja e palës kosovare, në kohën kur po punohet drejtë finalizimit të këtij procesi?

Vukpalaj: Negociatat Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja kanë rezultuar me arritjen e disa marrëveshjeve teknike por kanë dështuar në adresimin e çështjeve thelbësore politike. Së fundmi, zgjedhjet e mbajtura në Kosovë kanë ndikuar në zvarritjen e këtij procesi. Ndërkohe edhe në krye të institucioneve të BE-së kanë ardhur tjerë persona. Nëse kësaj ia shtojmë edhe krizën e Brexit-it dhe më pas edhe krizën e Covid-it si dhe stagnimin në procesin e zgjerimit atëherë e kuptojmë më mire pse ka munguar suksesi. Qeveria e re nuk e ka luksin që t’i zvarrisë negociatat me Serbinë ose mos t’u japë atyre rëndësinë e duhur sepse ato janë kërkese konstante e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Ajo duhet që të krijojë unitet të brendshëm për këtë çështje dhe të elaborojë një strategji të qartë në këtë proces. Qeveria e Kosovës duhet të provojë të nxjerrë maksimumin nga ky proces edhe për faktin se nga avancimi i këtyre negociatave varet mes tjerash edhe e ardhmja e saj evropiane. Kapitulli 35 i negociatave të Serbisë me BE-në thotë qartë se arritja e një marrëveshjeve normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën është parakusht për integrimin e saj në BE. Kjo është një përparësi nga e cila Kosova duhet të përfitojë.

Arbresh.info: Si profesor universitar dhe studiues çfarë mund të na thoni për integrimin evropian të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi? Pse BE-ja ngurron të liberalizojë vizat për Kosovën dhe të hapë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut? Çfarë nuk po bëjmë ne, dhe çfarë nuk po bëjnë ata?

Vukpalaj: Që nga viti 2018, Komisioni dhe Parlamenti Evropian e kanë konfirmuar disa herë se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Por për shkak të vetos së disa shteteve të BE-së kjo nuk ka ndodhur. Kam përshtypjen se BE-ja është duke e ruajtur liberalizimin e vizave si xhoker të cilin do ta nxjerrë në një moment të negociatave Kosovë- Serbi. Megjithatë, mosliberalizimi i vizave mbetet i pajustifikueshëm. Mosliberalizimi i vizave e mban Kosovën edhe më larg BE-së. Përveç kësaj, 5 shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo tregon për një dështim të BE-së për t’i bindur ato që ta njohin Kosovën. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në tetor 2015, Kosova nuk ka pasur pothuajse ndonjë avancim në drejtim të integrimit në BE.

Sa i përket Shqipërisë, ajo është në fazën e hapjes së negociatave por kriza politike e viteve të fundit ka ndikuar që kjo te shtyhet. Kjo figuron edhe në Raportin e Progresit të vitit 2020 ku thuhet se Shqipëria ka çaluar në plotësimin e kritereve politike. Raporti potencon një “polarizim të thellë” të shoqërisë shqiptare. Ky polarizim është intensifikuar pas zgjedhjeve të fundit.

Sa i përket Maqedonisë se Veriut, ajo ka ngadalësuar mes tjerash edhe për shkak të bllokimit të saj nga Bullgaria. Siç e dini, hapja e negociatave me një shtet të ri bëhet pas aprovimit të secilit shtet anëtar të BE-së. Bullgaria e ka përdorur veton e saj kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut derisa kjo e fundit “t’i njohë rrënjët bullgare të gjuhës maqedone” dhe ta ndalojë “retoriken anti-Bullgare”. Kontesti është për çështje historike dhe identitare. Këto dy shtete në të kaluarën nuk kishin hezituar as ta akuzonin njëra-tjetrën për “falsifikim” të historisë. Në vitin 2019 është themeluar një komision i përzier nga përfaqësues të dy shteteve për të zgjidhur këto mospajtime por deri tani nuk ka pasur ndonjë sukses. Kjo mund t’i kushtojë asaj zvarritjen e hapjes së negociatave.

Arbresh.info: Së fundi, pati diskutime në nivelet më të larta të këtyre shteteve dhe institucioneve në lidhje me kufijtë në Ballkanin Perëndimor. Cilët kufij në Ballkanin Perëndimorë vlerësoni se do të mund të garantonin paqe të qëndrueshme, dhe nëse keni ndonjë qëndrim edhe në lidhje me diskutimet për mundësinë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Vukpalaj: Planet e rregullimit të konflikteve në Ballkan përmes korrigjimit të kufijve kanë ekzistuar edhe më parë. Ato kanë qarkulluar kryesisht brenda disa qarqeve intelektuale të Serbisë. Qëllimi i tyre ka qenë kantonizimin i Kosovës dhe margjinalizimi i shqiptarëve. Në vitin 2018 kjo çështje do të marrë një kuptim të ri pas diskutimeve Thaçi-Vuçiq për arritjen e një marrëveshje Kosovë –Serbi përmes këmbimit të territoreve. Risia e kësaj ishte se për herë të parë, një udhëheqës shqiptar i Kosovës kishte pranuar që të diskutonte një solucion të tillë. Serbia ka pasur interes të hyjë në diskutime të tilla sepse kjo ishte një kthesë mbrapa që i mundësonte asaj që ta kontestonte shtetësinë e Kosovës duke e reduktuar atë në një entitet i cili “as kufijtë nuk i kishte të definuar”. Kjo qasje e ish-presidentit të Kosovës ka qenë e gabuar dhe ka ra ndesh me të gjitha parimet mbi të cilat ishin negociuar marrëveshjet në të kaluarën. Edhe pse ky opsion për momentin nuk ka përkrahje të duhur në Kosovë, publikimi javëve të fundit i disa planeve (non-paper-ave) që promovojnë opsione territoriale të zgjedhjes së konflikteve në Ballkan tregon se kjo ide është më prezente sot sesa që ka qenë para vitit 2018. Përveç planeve të ndarjes së Kosovës, në këto dokumente e fundit kanë figuruar propozime edhe për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës në baza etnike. Kjo ide pa asnjë dyshim i shkon në favor Serbisë dhe aleatëve të saj si Milorad Dodikut i cili ka kohë që e mbron haptas idenë e bashkimit të Republika Srpska-s me Serbinë dhe e konteston shtetin e Bosnjes. Në nivel makropolitik, ajo i shkon në favor edhe Rusisë e cila e ka aneksuar Krimenë dhe ka interes qe ta shtrijë ndikim e saj në Ballkan. Kosova nuk ka asnjë interes nga një opsion i tillë.

Arbresh. info: z.Vukpalaj, në bazë të zhvillimeve të deritanishme në rajon përmes procesit të Berlinit dhe Brdo-Brijunit, a besoni se po krijohet një ambient që do të tërheqë investitorë të huaj, që sigurisht se do të ndikonte edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve?

Procesi Brdo-Brijuni është proces rajonal i iniciuar nga presidentët slloven, Borut Pahor, dhe ai kroat, Ivo Josipovic, në vitin 2013 dha ka për qellim t’i bëjë bashkë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimorë. Në këto takime diskutohet për tema qe kanë të bëjnë me integrimin e këtyre shteteve në BE si dhe zhvillohen takime bilaterale ndërmjet liderëve te shteteve te Ballkanit Perëndimor.  Për të treguar për rëndësinë e këtyre takimeve, është bërë praktikë që në çdo vit te ftohen politikan me peshë evropian. Kështu, aty janë ftuar Angela Merkel, Francois Hollande etj.

Procesi i Berlinit në anën tjetër është proces i cili poashtu i bashkon përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimorë në nivelet më të larta politike evropiane. Ky i fundit është iniciuar nga Angela Merkel në vitin 2014. Qëllimet e definuara të Procesit të Berlinit janë zgjidhja e konflikteve bilaterale ndërmjet shteteve të Ballkanit, avancimi i tyre në procesin e pajtimit, rritja e bashkëpunimit ekonomik etj.

Këto dy procese janë komfor principit të integrimit të rajonit në BE ku shtetet duhet të negociojnë fillimisht me njëra tjetrën para se të diskutojnë me shtetet e BE dhe me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së. Në esencë, ato kane për qëllim lehtësimit e zgjidhjes së konflikteve. Procesi i Berlinit ka një platformë e cila është elaboruar për të lehtësuar reformat përmes bashkëpunimit ekonomik. Sigurisht se këto procese kanë rëndësi edhe për rritjen e investimeve të huaja në këto shtetet. Nëse i shikojmë investimet e huaja, ato janë rritur paralelisht me avancimin e integrimit të shteteve në BE. Çdo avancim drejt integrimit krijon lehtësi të reja për shtetet.

Arbresh. info: Dhe për fund, profesor a keni ndonjë këshillë për politikanë shqiptarë në lidhje me raportet dhe bashkëpunimin mes tyre duke e ditur rolin që mund të kenë në të gjithë këto procese të rëndësishme?

Vukpalaj: Bashkëpunimin ndërmjet politikaneve shqiptarë nuk ka qenë asnjëherë gjatë historisë më i mirë se sot edhe përtej mospajtimeve dhe konflikteve që kanë ekzistuar ndonjëherë ndërmjet tyre. Ky bashkëpunim duhet të intensifikohet në frymën e ndërtimit të shoqërive demokratike si dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme