Anton Quni ka një përgjigje për Ganimete Musliun

18:51 | 27 Maj 2017
Arbresh.info

Kandidati për deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni, ka folur për zërat se është kontaktuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar për krime lufte.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Quni i është kundërpërgjigjur ish-deputetes së PDK-së Ganimete Musliu, e cila në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ai është dëshmitar i Gjykatës Speciale.

Por, Quni ka mohuar se është kontaktuar ndonjëherë nga kjo Gjykatë, qoftë si dëshmitar apo si i involvuar në çfarëdo lloj ngjarje, duke e quajtur deklaratën e Musliut si sharlante.

“Rreth kësaj deklarate komplet sharlatane unë mund veç të përsëris atë që e thashë edhe në seancën e fundit të Parlamentit. Asnjëherë nuk jam kontaktuar nga asnjë institucion hetimor apo hetues të çfarëdo natyre, as vendor e as ndërkombëtar, qoftë si dëshmitar, qoftë si i dyshuar apo i involvuar në çfarëdo lloj ngjarje. E thashë që jam i njohur, ashtu siç mund ta di edhe opinioni i gjerë, se kam një aktakuzë të ngritur nga Serbia, nga e cila jam i dënuar me 15 vite burgim, me vendim të prerë. Më tepër se kaq, asgjë!”, ka thënë Quni.

Ai është shprehur i gatshëm të përgjigjet para çdo lloj thirrje për të mbrojtur vlerat e luftës së UÇK-së.

“Unë kam qenë ushtar i UÇK-së dhe në çfarëdo lloj situate nëse jam i thirrur, unë nuk do të hezitoj që ta bëj publikisht me krenari mbrojtjen e vlerave të luftës së pastër të djemve dhe vajzave  të Kosovës”, është shprehur deputeti i LDK-së.Sipas Qunit, deklarata e Ganimete Musliut, është e qëllimshme dhe me tendencë për të shkaktuar huti tek kolegët e tij bashkëpartiak dhe të tjerë si dhe tek opinion i gjerë.

“E qëllimshme dhe me tendencë për të shkaktuar huti tek kolegët e mi bashkëpartiak dhe të tjerë si dhe tek opinion i gjerë. Edhe pse më mirë do të ishte sikur këtë pyetje t’ia drejtonit koleges Musliu se çfarë deshi të thotë e çfarë synonte të arrinte me atë deklaratë pa asnjë bazë. Si kolegë që ishim në legjislaturën e kaluar, ajo ka patur mundësi të më pyeste nëse ka pasur mëdyshje rreth çështjes në fjalë dhe unë do t’i tregoja siç po e them tani që: askush kurrë nuk më ka kontaktuar për asnjë lloj informacioni apo dyshimi rreth veprimtarisë gjatë kohës së zhvillimit të luftës dhe pas saj”, ka deklaruar Anton Quni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme