Google ADS

Anton Quni flet për armatosjen e Serbisë, problemet me koalicionin e përjashtimi i Vjosa Osmanit

08:50 | 8 Tetor 2020
L G

Ministri i Mbrojtjes dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur për problemet brenda partisë së tij, përjashtimin e Vjosa Osmanit nga subjekti, armatosjen e ushtrisë së Serbisë me dronët turq, si dhe për vizitën e fundit në këtë shtet.

Quni ka folur fillimisht për misionin e FSK-së dhe fazën tranzitore. Ai thotë se deri në vitin 2028 do të arrihen kapacitetet e plota.

“Duhet të kthehem një periudhë më mbrapa në kohën kur diskutohej për misionin e ri të FSK-së, kur debatohej se do të duhej misioni të trajtohet me dispozita kushtetuese. Duke marrë parasysh forcën politike të deputetëve serbë, të cilët nuk donin të kishin ndryshime kushtetuese dhe ne mbetëm peng i asaj çështjeje. Liderët iu drejtuan partnerëve strategjikë që të merrnim përkrahje. Morëm përkrahje nga SHBA-ja normalisht si mbështetës i fuqishëm, pastaj edhe Britania, Gjermania, Turqia etj.”, tha ai.

“Pasi ligjet u kaluar në Kuvend, menjëherë u kalua në fazën tranzitore dhe deri në vitin 2028 do të arrijmë kapacitetet e plota. Duke marrë parasysh se të gjitha këto aktivitete kanë përgjegjësitë e veta, e njëra ndër to edhe kostoja financiare. Falë bashkëpunimit të mirë me partnerët tanë strategjikë, me secilin shtet kemi ndërtuar marrëdhënie të veçantë. Në mesin e tyre edhe Turqia”, shtoi Quni.

Quni tha se vizitoi edhe fabrikat ku pa ndërtimin e makinerive të fundit luftarake. Ai, po ashtu, e komentoi edhe armatosjen e Serbisë me dronë.

“Armatosja e Serbisë nuk po ndodh nga Turqia, por nga kompani komerciale. Ato kanë shprehë gatishmërinë që të kemi në dispozicion edhe ne ato armë. Por nuk është se ato shikojnë shtetet armike apo mike tona, por mundësitë financiare të shteteve”, shtoi Quni.

Quni tha se nuk pajtohet me deklaratat ku thuhet se Turqia është më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën, pavarësisht se ajo armatosi Serbinë me një teknologji ushtarake mjaft të avancuar.

“Nuk pajtohem me deklaratat se Turqia është më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën. Në Turqi ekzistojnë disa kompani që kanë subvencione nga qeveria dhe ato drejtohen nga politikat e qeverisë turke. Këto kompani private kanë të drejtën t’u ofrojnë shërbime edhe shteteve tjera, në këtë rast të Serbisë”, ka thënë Quni.

Tutje, ai tregoi se edhe Kosova mund të ketë në posedim këto armë sikur të kishte ekonominë mjaftueshëm të zhvilluar.

Ministri i Mbrojtës ka treguar se si për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, derisa FSK-ja po kryente parakalimin e vet, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte munguar. Megjithatë, katër orë më pas, Thaçi më pastaj kërkoi që t’i drejtohet FSK-së veçmas. Quni thotë se kjo kërkesë erdhi nga presidenti që ai të jetë i vetëm në momentin kur t’i drejtohet FSK-së. Sipas tij, Thaçi e gëzon këtë të drejtë.

“Ka qenë kërkesë e presidentit që ai të jetë i vetëm në momentin kur ai t’i drejtohet FSK-së. Kjo është e drejtë e presidentit Thaçi”, është shprehur Quni. Tutje, ai tregoi se nuk ka sabotuar asnjë obligim. Por, mosprezenca e tij, Kurtit dhe Osmanit ishte për shkak të vonesës së Thaçit.

“Gjatë ditës është bërë një protokoll mes qeverisë dhe parlamentin. Në momentet e fundit për shkak të vonesës së presidentit dhe mosmundësisë që të arrijë në momentin e duhur, unë dhe autoritetet tjera, ai ka kërkuar edhe një termin të veçantë kur ai do t’u drejtohet autoriteteve ushtarake. Ai e gëzon këtë të drejtë, dhe unë s’kam pasur ftesë, s’ka qenë ndonjë lloj sabotimi i obligimeve institucionale”, shtoi Quni.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur për diskutimet e brendshme në partinë e tij për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe për kundërshtitë që ishin brenda partisë që drejton Isa Mustafa.

Quni ka thënë se vetë ka qenë pro koalicionit, derisa ka zbuluar se ka pasur anëtarë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës që kanë kundërshtuar koalicionin, duke ngritur pikëpyetje për ideologjinë e Vetëvendosjes dhe mënyrën e financimit.

“Unë e kam shpreh edhe në rrejte sociale por edhe në paraqitjen time në parlament. Jam në mesin e atyre që kam punuar shumë të arrihet koalicioni me VV’në. Brenda LDK’së jemi identifikuar personalitetet që kanë qenë për koalicion. Ka pas neutral, por ka pasur edhe personalitetet të tjera që kanë preferuar formate të ndryshme, duke ngritur shumë pikëpyetje për Vetëvendosjen, ideologjinë” , ka thënë

Më pas ai ka thënë se ishte arritur koalicioni pavarësisht qëndrimeve ndryshe brenda LDK’së, por thotë se më pas u pa që partnerët nuk ishin aq të afërt në bashkëqeverisje.

Ai ka thënë se po të donte të bënte pazare me Partinë Demokratike të Kosovës, do t’i rehatonte në puna të institucioneve publike fëmijët e tij të cilët janë të papunë edhe pse kanë diploma universitare.

“Unë të tre fëmijët e mi i kam me diploma universitare. Me një kërcitje të gishtave, unë do t’i vendosja fëmijët e mi në qeveri. Vajza ime është me diplomë të Universitetit Amerikan, punon në kozmetikë për t’i financuar studimet. Djali, gjithashtu me diplomë universitare, pasi ka kryer studimet në Kosovë, ka dalë në perëndim duke punuar në ndërtimtari dhe tash së fundmi punon në një punë më normale. Djali tjetër studion në menaxhmentin e fushës së tregtisë çdo vikend ngarkon dhe shkarkon mobile në depot e ndryshme të Vienës”, tha ai.

Gjithashtu, ai tregoi se nuk ka ndryshuar qëndrimet e tij për PDK’në.

“Po të kisha ndryshuar do ta kisha pasur dertin e fëmijëve të mi”, shtoi Quni.

Quni ka thënë se do ta zgjidhte Partinë Demokratike të Kosovës, për koalicion para Listës nëse do të ishte e nevojshme që njëra të hynte në koalicionin qeverisës.

“Në mes të Listës serbe që do ta dëmtonte interesin tonë dhe PDK’së, natyrisht do ta zgjedhja të dytën. Por a e kam besimin e plotë, absolut nuk e kam. A i kam disa kushte për të cilat unë mendoj se duhet të shqyrtohen, natyrisht që i kam”, ka thënë Quni.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka folur për koalicionin me Vetëvendosjen dhe rreth arsyeve për prishjen e një marrëveshje politike për të cilin ishin investuar gjashtë muaj kohë negociata, shkruan Gazeta Express.

Quni ka thënë në Pressing të T7 se gjithçka kishte nisur pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe deklarimeve për gjendjen e jashtëzakonshme.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se deklarata e Agim Veliut s’ka qenë kundërshtim për Kurtin dhe se vendimi për shkarkim ka qenë i padrejtë.

“Gjithçka filloi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kur Thaçi e bëri elaborimin pse do të duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, derisa Kurti tha se sjanë pjekur kushtet për një gjë të tillë. Një natë më herët ishte edhe deklarata e kryetarit të LDK’së, që duhet të merret në konsideratë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Më pas deklarata e Agim Veliut ska qenë kundërshtim për Kurtin. Më pas, patëm një sanksionim nga Kurti, që për mua ishte e pa drejtë”, ka thënë Quni.

Ai ka treguar gjithashtu për raportet e tij me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin. Quni thotë se raportet e tyre janë tepër miqësore dhe në nivel, por nuk do të pranonte asnjë ofertë për karrierë politike jashtë LDK’së.

“Raportet e mia miqësore janë shumë në nivel me zonjën Vjosa Osmani. Me Osmanin njihemi që në kohën kur punonim bashkë në kabinetin e Sejdiut. Që atëherë kam ndërtuar një respekt për zonjën Osmani. Kjo nuk do të thotë që respekti im shkon aq larg, sa që unë të shkojë pas saj, nëse ajo mendon të krijojë ndonjë iniciativë jashtë LDK’së. Karriera ime politike fillon dhe mbaron në LDK. Edhe po të mbetem jashtë skenës politike, unë nuk do të pranojë çfarëdo oferte jashtë LDK’së”, shtoi Quni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme