Google ADS

Angazhim maksimal për të siguruar furnizim me ujë për qytetarët e zonave të prekura

14:06 | 1 Dhjetor 2024
E.H

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe zëvendësministri, Getoar Mjeku vizituan dje zonat e emergjencës së furnizimit me ujë pas sulmit terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Rizvanolli dhe Mjeku kanë vizituar disa nga zonat e prekura dhe pikat emergjente të furnizimit me ujë, duke monitoruar nga afër masat që po ndërmerren për sanimin e dëmeve dhe sigurimin e furnizimit me ujë për qytetarët, transmeton Arbresh.info.

“Jemi angazhuar maksimalisht për të siguruar furnizim me ujë për qytetarët, duke përdorur autobotët dhe cisternat si dhe duke u koordinuar ngushtë me ekipet teknike dhe drejtorët për të riparuar infrastrukturën dhe përmirësuar kapacitetet e furnizimit”, tha Rizvanolli.

Në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë thuhet se në Mitrovicë (Veri: Lagjen e Boshnjakëve, Spitalin e Mitrovicës–Qendra e Dializës), Zveçan, Drenas, Fushë-Kosovë dhe Skenderaj janë vendosur cisterna dhe autobotë për furnizimin e qytetarëve me ujë.

Rizvanolli u shoqërua nga ekipi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, i përbërë nga kryesuesja e bordit, Kumrije Kelmendi, drejtori teknik, Bajram Peci dhe zyrtarë e inxhinierë të tjerë. Ata diskutuan për masat që po ndërmerren për përmirësimin e furnizimit me ujë dhe stabilizimin e situatës.

Rizvanolli e zëvendësministri Mjeku vizituan gjithashtu vendin e sulmit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku u takuan me ekipet sanuese që janë angazhuar në riparimin e dëmeve.

Ekipet shpjeguan situatën dhe zhvillimet e deritanishme, duke informuar se pas ndërhyrjeve të shpejta emergjente janë identifikuar dy opsione për sanimin afatgjatë të dëmit. Me kryeshefin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, drejtorin përgjegjës për kanalin, Ernest Kërçeli dhe inxhinierët e angazhuar, u diskutua edhe për menaxhimin dhe rritjen e kapaciteteve të furnizimit me ujë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme