Anëtarët e Kongresit: SHBA duhet të mbështesë Ballkanin Perëndimor, përballë ndikimit të Rusisë, Kinës

22:30 | 31 Janar 2024
E.G

Anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor, shprehën të mërkurën shqetësimin për ndikimin keqdashës të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Ata folën për këtë temë në një forum në Kongresin amerikan.

Pjesëmarrësit thanë se Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre përmes ndërhyrjeve politike dhe dezinformimit në rastin e Moskës, si edhe kryesisht përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore në rastin e Pekinit.

Ata theksuan nevojën e forcimit të koordinimit mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu folën për nevojën e integrimit të rajonit.

Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions një nga bashkëdrejtuesit dhe organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se Rusia ka vite që përpiqet për destabilizimin e Ballkanit, dhe se është e qartë se ajo përdor dezinformatat dhe forcë kur do që të realizojë synimet e saj.

“Destabilizimi i Ballkanit (nga Moska) është diçka që secili prej vendeve atje e sheh dhe ata e shohin që jo vetëm po ndodh, por se ka përpjekje e qëllimshme për të minuar këto vende”, tha ai.

Zoti Sessions thotë se Shtetet e Bashkuara dhe organizma perëndimore duhet t’i mbështesin stabilitetin e rajonit.

“BE-ja, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të bashkuara dhe të thonë me forcë se ‘ne i mbështesim këto vende dhe do të qëndrojmë së bashku me to’. Kjo është ajo që u duhet këtyre vendeve: Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë me forcë në krah të tyre”, tha ai.

Kolegu i tij, anëtari republikan i Kongresit Robert B. Aderholt shprehu shqetësimin se fushata e Rusisë dhe Kinës për ndikim po rritet dhe për këtë arsye…

“… vendet e Ballkanit sot më shumë se kurrë janë jetike për partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe duhet të ketë një qëndrim të unifikuar kundër ndikimeve negative”, tha ai.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarët e Kongresit Sessions dhe Aderholt, tha se është e dukshme që siguria është çështja kryesore në botë sot.

“Duket qartësisht se ka një lëvizje të Rusisë por edhe të Kinës, ndoshta dhe Iranit për të krijuar probleme në rajonin e Ballkanit, për të pasur një pikë tjetër konflikti dhe për të zhvendosur vëmendjen nga Ukraina”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Mediu shton se vetë vendet e Ballkanit që janë pjesëtare të NATO-s, duhet të ndërmarrin masa për të krijuar mekanizma parandaluese politike dhe ushtarake në rajonin e Ballkanit.

“… Duhet të diskutojmë së bashku se cilat janë këto shqetësime dhe cilat janë zgjidhjet për Ballkanin Perëndimor. Po ta shikojmë se si veprojnë këto forca siç janë Rusia dhe Kina, e para është se ata përpiqen që të ndezin konflikte të reja, e dyta krijojnë një lloj status-quoje përsa i takon situatës, problemeve të pazgjidhura, të pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe të zgjerojnë influencën e tyre gjeoekonomike dhe gjeopolitike”.

Naz Durakoglu, ndihmës Sekretare e Shtetit për çështjet legjislative theksoi se Shtetet e Bashkuara janë tepër të shqetësuara për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon, e para përmes infrastrukturës dhe e dyta përmes gazit dhe dezinformimit, dhe fokusi i tyre është kundër NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne përdorim ndihmën e huaj për të ndihmuar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të demokracisë.

Analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph, tha për Zërin e Amerikës se u kujtoi anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve amerikanë se sa i rëndësishëm është Ballkani…

“Ky rajon është është pjesë e strategjisë së Putinit. Ai dëshiron të ndajë Evropën nga Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron të ndajë Evropën brenda vetes dhe Ballkani është një rrugë kryesore për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Zoti Joseph theksoi se për Moskën, ndikimi në rajonin e Ballkanit bëhet me një kosto të ulët por pasoja të mëdha dhe tha se Rusia ka ndihmën e Serbisë në përpjekjet e saj. Por ai tha se kartat janë në duart e Perëndimit për drejtimin e rajonit.

“Ne i mbajmë kartat, Perëndimi, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, këto të NATO-s. Është ndryshe nga Ukraina. Rusia është shumë larg për të sjellë forca tokësore. Anëtarët e NATO-s rrethojnë Ballkanin. Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, duan t’i bashkohen NATO-s”, tha ai.

Në një kujtesë për situatën gjeopolitike ku është bota sot dhe të sfidave me të cilat përballet, përfaqësuesi i Ukrainës në këtë forum, deputeti Alex Goncharenko bëri thirrje për vazhdimin e ndihmës ndaj vendit të tij, në një kohë debatesh në Kapitol, ku procesi për miratimin e ndihmës së mëtejshme për luftën kundër Rusisë, ka ngecur.

Të ngjashme