Google ADS

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, deputetja serbe – Bakoyannis: Nuk ke integritet dhe je hipokrite

19:53 | 16 Prill 2024
E.H

Deputetja serbe, Biljana Pantiq Pilja tha se raportuesja greke Dora Bakoyannis e cila rekomandoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të hyjë në histori “duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe parimet mbi të cilat kjo organizatë është themeluar”.

Sipas saj themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht themelor për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse e ftoni të ashtuquajturën Kosovë në Këshill të Evropës pa themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe ai nuk do të themelohet kurrë”, deklaroi ajo.

Pilja iu drejtua Bakoyannisit duke i thënë se është pa integritet dhe hipokrite.

“Statuti i Këshillit të Evropës afirmon që vetëm shtetet evropiane në të cilat ka sundim të së drejtës dhe respekt për të drejtat e njeriut dhe pakicave mund të jenë anëtare”, tha ajo.

E pas fjalimit të deputetës serbe Kryesuesi i seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,i tërheqi vërejtjen Biljana Pantiq Pilja.

“Të nderuar kolegë, dua t’ju përkujtoj që sipas rregullores së punës dhe kodit të sjelljes së anëtarëve të kësaj asambleje, debatet duhet të bëhen në mënyrë civile dhe të rregullt, dhe që anëtarët e kësaj asambleje nuk mund të bëjnë asgjë që mund të shkaktojë çrregullim të procedurave. Thjesht po ua rikujtoj të gjithë juve këtë gjë”, tha ai.

Deputetja malazeze Maja Vukiqeviç u shpreh se e ka theksuar mos mbështetjen e raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Duke qenë se Mali i zi e ka njohur Kosovën, ka pasur shumë biseda për votën time, ne kemi të drejtë të vendosim vetë”, tha ajo.

Ajo deklaroi se sa i përket delegacionit të Malit të Zi do të ketë vota edhe pro edhe kundër.

“Për ne serbët kudo që jetojmë Kosova është gur themeli i fesë dhe historisë sonë”, tha ajo.

“Nuk po e ndihmojmë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës duke e shtyrë përpara anëtarësimin e Kosovës në këtë Këshill, jam e befasuar me këtë nguti, sidomos duke marrë parasysh që nuk janë plotësuar kushtet”, tha ajo.

Ajo tutje tha se fakti është që nuk ka konsensus që Kosova është shtet, por që sipas saj fakti është se shumica e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“12 shtete të Këshillit të Evropës dhe 5 shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën si shtet”, tha ajo.

Ajo shtoi se asnjëherë në historinë e këshillit të Evropës nuk ka pas aplikim nga një territor i kontestuar.

“Nëse Serbia del nga kjo organizatë vetëm do të përkeqësohet gjendja”, tha ajo./rtk

Të ngjashme