Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL i vështirë

19:46 | 27 Korrik 2017
Arbresh.info

Në shtator të këtij viti, në Pekin të Kinës, do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, ku është vënë në agjendë votimi për anëtarësimin e Kosovës.
Këtë e ka prezantuar si sukses ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke e komentuar një letër që ka pranuar nga sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stok, raporton KTV.

Mirëpo, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është sfidë e madhe, pasi që kjo varet tërësisht nga politika dhe dihet fakti që Kina ende nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.

Kurse, kryesuesi i takimit do të jetë nga Rusia, shtet ky që po ashtu nuk e ka njohur Kosovën.

Kosova, sipas njohësve të këtyre çështjeve, i ka përmbushur kriteret e kërkuara për anëtarësim, mirëpo, nuk e ka të sigurt numrin e votave të shteteve anëtare të INTERPOL-it që do të votojnë në favor të pranimit të saj si shtet anëtar.

Rrezik tjetër që Kosova nuk mund të anëtarësohet në këtë organizatë, është se krahas Kosovës, për anëtarësim kanë aplikuar edhe Palestina dhe Ishujt Solomon.

Kosovën deri tash e kanë njohur 114 shtete, të cilat njëkohësisht janë edhe shtete anëtare të OKB-së, ndërsa Palestina është e njohur prej 138 vendeve, ku 136 prej tyre janë anëtare të OKB-së, që nënkupton se Palestina ka 22 njohje më shumë se Kosova nga radhët e vendeve që janë anëtare të OKB-së.

Për t’u anëtarësuar, Kosovës i duhet të sigurojë 2/3 e votave të shteteve anëtare që janë të pranishme në Asamblenë së Përgjithshme, ndërsa INTERPOL-i ka gjithsej 190 shtete anëtare.

Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në INTERPOL është shumë i rëndësishëm për koordinimin e aktiviteteve në luftimin e krimeve të ndryshme trans-nacionale, si dhe do të ndikonte në profesionalizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme