Google ADS

Andin Hoti: Dje Serbia e pranoi deklaratën për të pagjeturit

14:23 | 5 Prill 2023
Emir Abduramani

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti, ka deklaruar se në takimin e djeshëm të kryenegociatorëve në Bruksel, Serbia ka pranuar deklaratën për personat e pagjetur.

Në Facebook, Hoti ka thënë se me këtë pranim të deklaratës, Serbia detyrohet t’i hapë arkivat e dokumenteve sekrete për personat e zhdukur me dunë nga shteti serb.

“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”, ka shkruar Hoti.

Hoti theksoi se kjo deklaratë do të miratohet në takimin e ardhshëm edhe nga kryeministri Kurti dhe presidenti Vuciq, teksa tha se kur të pranohet ajo nga nivelet e larta, do të bëhen të ditur edhe hapat e mëtejshëm, të nevojshme për zbatimin deklaratës.

“Pavarësisht që me duhet të them që për mua si familjar, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë, dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plote të saj, për çka presim përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga miqtë tanë ndërkombëtar, SHBA e BE”, ka shkruar ai.

Se kjo deklaratë është pranuar nga shteti serb, njoftoi pak më parë edhe kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili ka shkruar se kjo deklaratë është pranuar dje në takimin mes Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel, dhe si e tillë, është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit./Arbresh.info

Borrell thotë se pajtimi për deklaratën e të pagjeturve është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes

 

Të ngjashme