Analiza e trendeve të pjesëmarrjes në zgjedhjet 2009-2019

08:03 | 14 Shkurt 2021
Arbresh.info

Trendet e regjistrimit të votuesve dhe pjesëmarrjes në gjashtë zgjedhjet e fundit në Kosovë tregojnë ngritje të vazhdueshme të numrit të votuesve të regjistruar (1,563,741 në Zgjedhjet Lokale 2009 ndërsa 1,890,952 në Zgjedhjet Lokale 2017) si dhe numrit të atyre që kanë marrë pjesë në votime (656,245 votues në Zgjedhjet Lokale 2009 ndërsa 811,717 votues në Zgjedhjet Lokale 2017).

Për sa i përket përqindjes së pjesëmarrjes në votime, te zgjedhjet Lokale përqindja e pjesëmarrjes ka mbetur e përafërt, me përjashtim të Zgjedhjeve Lokale 2013 (46.72%), ndërsa në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kjo përqindje është zvogëluar (2010 – 45.35%, 2014 – 42.76%, dhe 2017 – 41.30%), ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 shënohet rritje e përqindjes së pjesëmarrjes në zgjedhje (44.39%).

Trendet në bazë të gjinisë përkojnë me trendet e përgjithshme në aspekt të rritjes së numrit të votuesve të regjistruar dhe atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Në përgjithësi vërehet se votuesit burra votojnë dukshëm më shumë se sa votueset gra. Konkretisht, në tre zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës kanë votuar më shumë se 109 mijë votues burra në krahasim me votueset gra. Ndërsa, dallimi në mes votuesve burra dhe gra për zgjedhje lokale ka qenë mbi 88 mijë, përveç Zgjedhjeve Lokale 2013 ku ka pasur pjesëmarrje më të lartë të grave (mbi 37 mijë). Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2019 kanë shënuar numrin më të madh të meshkujve që kanë votuar, mbi 462 mijë.

Analiza e pjesëmarrjes në votime sipas grupmoshës tregon se grupmoshat 18-21 vjeç dhe 41-64 vjeç kanë përqindje më të lartë të pjesëmarrjes në votime, të përcjellur nga grupmoshat 22-25 vjeç dhe 26-40 vjeç, e më pas nga ato 65-99 vjeç dhe >100 vjeç. Në grupmoshën >100 vjeç, vërehet një zbritje e vazhdueshme e pjesëmarrjes në votim e cila vjen si rezultat i rritjes së numrit të votuesve në LPV (nga 850 votues në Zgjedhjet Lokale 2009 në 2,906 votues në Zgjedhjet Lokale 2017) dhe zbritjes së votuesve që kanë votuar (nga 77 votues në Zgjedhjet Lokale 2009 në 40 votes në Zgjedhjet Lokale 2017). Edhe në Zgjedhjet e fundit për Kuvdend pjesëmarrja më e lartë është regjistruar te grupmoshat 18 -21 dhe 41 – 64 vjeç.

Trendet në bazë të zonave urbane dhe rurale të nxjerra nga të dhënat në shtatë Komunat me numrin më të madh të votuesve të regjistruar tregojnë se përqindja e pjesëmarrjes në votime në zona urbane është më e lartë në krahasim me ato rurale, përveç në Zgjedhjet Lokale 2009 ku përqindja e pjesëmarrjes në të dy zonat është e përafërt. Në Komunën e Gjakovës ka dallim më të theksuar në mes te pjesëmarrjes në votime të zonave urbane dhe rurale, ku pjesëmarrja në zona urbane është rreth 10% më e lartë se ajo në zona rurale. Përqindje të përafërta të daljes në votime vërehen në Pejë, Prishtinë dhe Prizren, ku në të tri Komunat ka dalje pak më të lartë në zona urbane se sa në ato rurale.

Trende ndryshe vërehen në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Ferizajt, ku ka pasur pjesëmarrje më të lartë në votime në zona rurale se sa në ato urbane.

Për dallim të votimit të rregullt, pjesëmarrja në votime, si total, përmes votimit jo të rregullt (votat me kusht, me postë, dhe VPNV) ka shënuar rënië tek zgjedhjet Lokale ndërsa ka mbetur i përafërt në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Votimi me kusht, përmes votimit në vendvotime të dyfishta mbetet kategoria më e shfrytëzuar e votimit jo të rregullt.

Votimi në vendvotime të dyfishta është më i lartë në zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, ku Kosova është një zonë zgjedhore, në krahasim me zgjedhjet Lokale, ku secila Komunë është zonë zgjedhore në vete. Në përgjithësi, përqindja e votave me kusht është zvogëluar në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve në listën e votuesve. Analiza e votave me kusht tregon një trend të rritjes së përqindjes së votave të konfirmuara dhe zbritjes së numrit të votave të refuzuara ndër zgjedhje. Votimi përmes postës mbetet shërbim i rëndësishëm i KQZ-së, për të cilin regjistrohen 10,000 – 15,000 votues që jetojnë jashtë Kosovës, e që përbëjnë më pak se 1.5% e totalit të votuesve që dalin në zgjedhje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme