Google ADS

Analistja gjermane: Kushtetuesja ktheu “Garadën e vjetër” në pushtet

07:57 | 30 Maj 2020
Arbresh.info

Analistja e njohur gjermane për çështje të Ballkanit, Johanna Deimel ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është hap i madh prapa sa i takon programit ambicioz të reformave për luftë kundër korrupsionit.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese paraqet hap të madh prapa të programit ambicioz të reformave për luftë kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit që e ka iniciuar Albin Kurti”, ka thënë Deimel për KoSSev.

Të enjten mbrëma është publikuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e Qeverisë. Kushtetuesja ka vlerësuar se presidenti ka vepruar në përputhshmëri me Kushtetutën, me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër.

Por Deimel ka thënë se në vitin 2014, Gjykata mori vendim plotësisht tjetër.

“Ndonëse në vitin 2014 Gjykata Kushtetuese mori vendim plotësisht ndryshe, tani ia lejon qeverisë së re që të kthej gardën e vjetër”, ka thënë ajo.

Deimel vlerëson se vendimi do të dëmtojë edhe më shumë besimin politik të qytetarëve. Analistja gjermane pajtohet që ka zonë problematike në interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se ka vend për interpretime të ndryshme.

“Kriza politike prej fundit të marsit tregon për fushat problematike në Kushtetutë, të cilat edhe pas mendimit të Gjykatës Kushtetuese lënë hapësirë për interpretime shtesë dhe që mund të çojnë drejtë punëve tjera të ndyta të kontekstit të ngjashëm edhe pas votimit të mosbesimit për qeverinë”.

Por Deimel thotë se Gjykata dhe vendimi duhet të respektohen.

“Duhet të respektohet që krizën qeveritare dhe politike mos ta pasojë ajo kushtetuese, apo ajo shtetërore. Brukseli, Berlini dhe Parisi do të duhej që me vëmendje të përcjellin se si do të veprojë qeveria e ardhshme e Hotit, sidomos për dialogun me Beogradin dhe të marrin qëndrime të qarta për këtë. Por me rëndësi është të përmendet se Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit autoritetin më të madh. Dhe për përbërjen e tij do të vendosin qytetarët në zgjedhjet e ardhshme”, thotë Johanna Deimel.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme