Google ADS

Analisti amerikan thotë se qasja e Kurtit në dialog e duhur dhe e nevojshme për Kosovën

10:20 | 18 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Qasja e re e kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti në tavolinën e bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq po shihet si e duhura dhe e nevojshmja për Kosovën nga analisti amerikan David Phillips.

Analisti amerikan thotë se qasja e Kurtit në dialog e duhur dhe e nevojshme për Kosovën

Megjithë këtë ndryshim të rrjedhës së negociatave nga pala kosovare, Phillips nuk sheh marrëveshje që përfundimisht iu jep zgjidhje konflikteve mes kosovarëve dhe serbëve në një të ardhme të afërt. Por, për mossuksesin e tentativave për pajtim, ai gjen fajtore Serbinë dhe personalisht presidentin Vuçiq.

Në një intervistë për portalin Klankosova.tv, profesori Phillips thotë se Kosova s’ka nevojë të nënshkruajë një marrëveshje që është në dëm të saj vetëm për hatrin e dialogut.

“Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut”.

Për procesin njëdekadësh të dialogut, Phillips, i cili është edhe drejtor në Institutin e Paqes në Universitetin e Columbias në New York, pajtohet se bisedat janë më të mira sesa konfrontimet, por se atyre iu duhen ca rezultate.

Për të arritur deri aty, analisti amerikan thotë se duhet të përfshihet më direkt shteti i tij, SHBA, duke emëruar një emisar presidencial që do të plotësojë emisarin europian, Lajçak, në përpjekjet e tij.

Dhe involvimi i SHBA-së s’duhet të jetë vetëm emërimi i një emisari, por të ketë edhe njëfarë roli ndëshkues bashkë me BE-në për palën që nuk zbaton marrëveshje dhe pengon progresin në rrugën drejt gjetjes së paqes.

“Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme