Bujë të madhe në Kosovë këtë fundjavë bëri publikimi i disa mesazheve gjatë seancës së Kuvendit kur u votua buxheti 2019, ku protagonistë ishin deputetë të Partisë Socialdemokrate (PSD) me zyrtarë të partive në pushtet.
Përkundër kuorumit dhe sigurimit të votave që po u bën partive në pushtet, subjekti politik opozitar PSD, është shprehur i vendosur se nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.
Për njohës të zhvillimeve politike në vend, ngjarjet e fundit në Kuvend po shihen si të zakonshme, duke pasur parasysh raste të shumta të ‘pazareve’ me vota që kanë ndodhur në të kaluarën.
Ndërkaq, të tjerë vlerësojnë se secila parti politike i ka interesat e veta dhe në këtë drejtim nuk bën përjashtim as PSD-ja.
Në anën tjetër, deputetët e PSD-së dhanë versionin e tyre nga për bisedat virtuale me ministrin nga AAK-ja Pal Lekaj dhe deputetin e Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifin.
Deputeti Dardan Molliqaj lidhur me këtë çështje, tha se secilën bisedë me politikanët mund ta publikojë pasi ‘nuk ka asgjë për të fshehur’.
Për këtë temë u deklarua edhe deputeti tjetër i PSD-së, Frashër Krasniqi. Ai tha se biseda e tij me Molliqajn, ka qenë për një person të tretë.
Një ditë më pas, sërish pati një tjetër qëndrim nga Partia Socialdemokrate.
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, partia e të cilit e ndihmoi koalicionin qeveritar ta kalojë buxhetin për vitin e ardhshëm, deklaroi se janë të palëkundur për ta larguar PDK-në nga pushteti.
“Jemi të palëkundur në qëndrimin tonë për ta larguar PDK-në nga pushteti. Posa kjo të arrihet, ata do të hetohen e përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet e aferat korruptive që i kanë kryer në vendin tonë”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.
Pretendimet se ata do të bëhen pjesë e qeverisë, ai i quajti shpifje.
“Lajmet e sponsorizuara që kinse ne do të bëhemi pjesë e kësaj qeverie janë shpifjet e radhës nga ata që e ëndërrojnë ardhjen në pushtet pikërisht duke bashkëpunuar me PDK-në”, shtoi ai.
Partia Socialdemokrate para votimit të projekt-buxhetit të vitit 2019 të premten më 21 dhjetor i kishte vënë Qeverisë pesë kushte, për të cilat kryeministri Ramush Haradinaj u zotua se do t’i përmbushë.
Qasja e PSD-së, në favor të zgjidhjes apo të pushtetit?
Lidhur me veprimet e fundit të Partisë Socialdemokrate, analisti politik Arton Demhasaj thotë për “Gazetën Jeta në Kosovë” se nuk është befasuar me zhvillimet, pasi sipas tij gjithmonë në këso raste në Kosovë, votat shkojnë me ‘pazare’.
“Në momentin kur PSD-së i është përkrahur rezoluta e saj për ekipin negociator dhe për dialogun, atëherë ka qenë e pritshme që kjo parti do ta përkrahë dhe do ta votojë buxhetin, sepse mosvotimi i buxhetit ka mundur të shkaktojë krizë qeveritare dhe ndoshta ta cojë vendin edhe në zgjedhje”, tha ai.
Sipas Demhasajt, në rast se PSD ka pretendim kryesor ta rrëzojë PDK-në e në anën tjetër votohet diçka që i përket edhe PDK-së, kjo mund të quhet hipokrizi.
“Nuk mendoj që mundet me u rrëzu PDK-ja prej pushtetit, duke u përkrahur nga të tjerët. PDK-në nuk mund ta rrëzosh duke i votuar ligjet ku edhe ajo është pjesë e Qeverisë. Në qeverisjen aktuale po shihet që nuk është tendenca të rrëzohet Qeveria, pasi janë bërë pjesë e ekipit negociator për dialogun, veprim i cili është pozitiv pasi gjithë spektri politik duhet të kyçet aty, por megjithatë duhen sqarime nga PSD-ja”, verëson Demhasaj për “Gazetën JnK”.
Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolaj thotë për “Gazetën Jeta në Kosovë”, se PSD e ka votuar buxhetin me disa kushte që i ka bërë të njohura për publikun.
“Secila parti politike i ka interesat e veta dhe në këtë drejtim nuk bën përjashtim as PSD. Nëse veprimet e PSD-së kanë qenë të drejta ose jo, këtë do ta vlerësojnë votuesit në zgjedhje, kurdo që ato mbahen”, u shpreh ai.
Sipas Mushkolajt, Partia Socialdemokrate ka zgjedhur që të bashkëpunojë për çështjet siç janë dialogu e buxheti, e jo të bllokojë.
“Mbetet të shihet nëse kjo qasje do të vlerësohet nga votuesit”, thekson analisti.
Vazhdojnë polemikat VV-PSD
Sot edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për mesazhet e publikuara në media të deputetëve të PSD-së me pjesëtarë të koalicionit qeverisës.
Kurti më mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjitshëm të VV-së, tha se kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së.
“Për Lëvizjen Vetëvendosje, fillimi i këtij viti ka qenë paksa i pazakontë, sepse ende nuk po e kuptonim se një grup aktivistësh të dikurshëm por tentonin ta dëmtojnë Lëvizjen dhe t’ia shkaktojnë asaj një aksident. Sigurisht ata nuk ia dolën ta dëmtojnë Lëvizjen sepse shumica e simptizuesve tanë e analizuan mirë situatën”, tha ai.
Kurti shtoi se kësaj situate ia kuptuan të vërtetën vetëm dje.
“Kësaj tentative hileqare arritëm t’ia kuptojmë të vërtetën vetëm dje kur i pamë në media mesazhet e tyre. Kjo e vërtetë nuk na gëzon aspak, përkundrazi na hidhëron”, shtoi i pari i VV-së.
Nuk shkoi shumë kohë, erdhi edhe kundërpërgjigjja e PSD-së ndaj Kurtit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i quajti “grup të falltorëve” njerëzit e Vetëvendosjes.
Ai përmend me radhë deklaratat që VV i ka bërë në adresë të të larguarve nga Vetëvendosje dhe përsërit se PSD do të angazhohet vazhdimisht që PDK-në ta largojnë nga pushteti.
“E ne fatkeqësisht do t’i zhgënjejmë. Përveq se nuk do të futemi në këtë Qeveri, do të angazhohemi vazhdimisht që PDK-në ta largojmë nga pushteti pas kaq shumë vitesh keqqeverisje. Ju vazhdoni të qitni fall, se pavarësisht që parashikimet i keni të dobëta, ndoshta me kalimin e kohës përmirësoheni në këtë fushë”, thuhet në reagimin e deputetit. Partia Socialdemokrate është formuar pasi 12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje krijuan grupin e tyre parlamenatar, pas ndarjes së VV-së në mars të vitit 2018.
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...