Analistët thonë se zgjedhja e presidentit nga populli e mundshme pas ndryshimeve kushtetuese

20:28 | 22 Maj 2020
Arbresh.info

Ditët e fundit është përmendur përsëri ideja për zgjedhje të presidentit me votim të drejtpërdrejt nga populli.

Këtë e ka shprehur haptas disa herë edhe presidenti aktual Hashim Thaçi.

Njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani thotë se kjo gjë është e mundur nëse bëhen ndryshime kushtetuese.

“Është një ide e kahershme që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Ideja është që të shmangen problemet kushtetuese që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse dështon zgjedhja e presidentit. Kjo temë është diskutuar edhe më parë. Një gjë e tillë është e mundur por që duhet një ligj i ri që presidenti të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta por duhet rishikuar edhe kushtetuta”, deklaroi Blerim Burjani për RTV Dukagjinin.

Burjani thotë se një ligj i tillë do të ishte edhe në interes të figurave të pavarura që do të dëshironin të kandidonin për president.

Nga ana tjetër politologu Ramush Tahiri ndryshimin e kushtetutës e sheh si të vështirë në këto rrethana politike.

“Hashim Thaçi e ka shprehur dëshirën që presidenti të zgjidhet direkt nga populli pasi konsideron se është njeriu më i votuar. Në këtë kontekst politik është vështirë të bëhen këto ndryshime kushtetuese pasi nevojitet edhe shumica e votës së minoriteteve. Tash për tash duket se nuk ka as vullnet politik për të bërë ndryshime të tillë kushtetuese dhe pres që edhe kësaj radhe presidenti të zgjidhet nga parlamenti dhe pozita e presidentit do të jetë pjesë e pazareve politike ndërmjet partive parlamentare”, deklaroi Ramush Tahiri.

Mandati i Hashim Thaçit në krye të presidencës përfundon në prill të vitit 2021.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme