Analistët politikë në Prishtinë, por edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovës, konsiderojnë se thirrjet e faktorit ndërkombëtar në Kosovë se nuk duhet të ketë vonesa për formimin e institucioneve të reja,janë normale dhe të rëndësishme.
Në deklaratën e ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, thuhet se qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
“Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, thuhet pos tjerash në deklaratë.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, mendon se është e panevojshme vonesa e krijimit të institucioneve të reja. Ai konsideron, po ashtu, se nuk duhet të ketë asnjë arsye në zvarritjen e krijimit të institucioneve, pasi që, sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar që ekzistojnë mundësi për ndërtimin e institucioneve.
“Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare në këtë rast për mua janë shumë logjike dhe njëkohësisht janë thirrje edhe e, si të them, e banorëve të Kosovës që kjo të ndodhë sa më shpejt. Ata e kuptojnë siç e kuptojnë edhe qytetarët e Kosovës se çdo zvarritje vetëm sa e dëmton vendin dhe vetë qytetarët dhe me këtë logjikë, pra është shumë normale që institucionet të krijohen sa më shpejt”, thotë Mushkolaj.
Ai ka shtuar se është çështje tjetër se si partitë politike do t’i lidhin koalicionet qeverisëse, por institucionet duhet të formohen pa vonesa.
“Është e domosdoshme që institucionet të krijohen sa më shpejt”, thekson ai.
Drejtoresha e organizatës Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Florina Duli, po ashtu konsideron se thirrjet e vendeve të Quint-it, përmes ambasadorëve të tyre në Prishtinë, janë normale dhe nuk duhet të konsiderohen si presion.
Duli thotë se thirrjet e faktorit ndërkombëtar në Kosovë duhet të kuptohen si thirrje për përshpejtimin e proceseve në mënyrë konstruktive.
“Është më se normale dhe shërbimet diplomatike dhe mekanizmat, si Quint-i, të ndërhyjnë dhe të ushtrojnë presion të butë në shtetet, të cilat janë në demokraci në konsolidim e sipër, pra me mesazhe të tilla. Problemi është se në Kosovë këto presione merren me një frikë nga qytetarët, mund të keqkuptohen nga ta për shkak të përvojës së kaluar, për shkak të rolit të Quint-it dhe shërbimet diplomatike në formimin e koalicionit të kaluar apo koalicionit qeverisës që është në ikje e sipër tash”, shprehet Duli.
Vendet e Quint-it, përmes ambasadorëve të tyre në Prishtinë, kanë thënë se: “nxisim partitë që e formojnë qeverinë e ardhshme që të kenë si prioritete sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që të tërhiqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike”.
Në deklaratë, po ashtu, vendet e Quint-it inkurajojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që ta procedojnë sa më shpejt që është e mundshme, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka shumë probleme, me të cilat po ballafaqohet dhe ka nevojë që të ketë një Qeveri të plotë të zgjedhur për t’i trajtuar këto probleme.
“Ne besojmë se institucionet e Kosovës do t’i respektojnë rregullat, respektojnë Kushtetutën dhe procedurat në mënyrë që ta bëjnë qeverinë pa ndihmën tonë”, ka thënë ambasadori Delawie.(Rel)