Analistët: S’ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjeve Kosovë-Serbi

12:46 | 10 Shtator 2024
E.K

Njohës të rrethanave politike në vend kanë mendime të ndryshme nëse Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i bindë Kosovën dhe Serbinë që të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

Të njëjtit nuk shohin gatishmëri të palëve për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri me tani, sidomos nga pala kosovare, pasi vendi është pak muaj larg zgjedhjeve parlamentare.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po bënë përpjekje të ulë në tavolinën e bisedimeve Kosovën dhe Serbinë pas një kohë të gjatë. Njohës të rrethanave politike në vend kanë mendime të ndryshme nëse shpejt mund të këtë një takim, derisa nuk presin asgjë konkrete edhe nëse do të këtë takim. Arta Tahiri për Radio Kosovën ka thënë se ka gjasa që Lajçak të arrijë shumë shpejt që të organizojë një takim.

“Duke e ditur që jemi pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, besoj që Kurti nuk është i interesuar të bëjë zbatim të marrëveshjeve e në veçanti asociacionin. Kjo është ajo që po e ngurtëson dialogun Kosovë- Serbi, dhe çdo iniciativë që vjen nga Bashkimi Evropian më konkretisht nga Lajçak, nuk besoj që do të marrë përgjigje pozitive nga pala kosovare. Në anën tjetër kemi edhe neglizhencën e palës serbe”, ka theksuar Tahiri.

Analisti politik, Fidan Ukaj, thotë se përpjekjet e Lajçakut janë një lloj arsyetimi për punën me të cilën është i ngarkuar, derisa konsideron që nuk ka vullnet as nga Kosova e as nga Serbia për zbatim të marrëveshjeve të arritura.

“Nuk pres që do të këtë një mundësi të zbatimit të marrëveshjeve apo rikthim në dialog, më shumë e shoh një vizitë për të arsyetuar punën, angazhimin e po ashtu pagesën e Lajçakut, se sa mundësi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe aneksit në Ohër”, ka thënë Ukaj.

Miroslav Lajçak javën e kaluar ka vizituar Kosovën, dhe pas takimit që ka pasur me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi, tha se janë pajtuar për diçka por që nuk tregoi për çfarë. Lajçak, ndërkohë sot është në Beograd, për të njëjtën arsye që ishte në Kosovë, për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe aneksin e Ohrit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme