Analistët: Rama me hapa të guximshëm drejt Ballkanit të Hapur, Kosova e kurthuar në një rreth vicioz

10:47 | 22 Dhjetor 2021
F.T

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po bën hapa të guximshëm politik e ekonomik. Ai po udhëheq politikat e veta dhe nuk po merret me llafet e të tjerëve.

Kështu po vlerësohet pjesëmarrja e Ramës në “Open Balkan” dhe pritja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Tiranë të hënën, kundër së cilës u organizuan edhe protesta nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Gazetari kosovar, Ridvan Berisha, Shqipëria e sheh “Open Balkan” si interes strategjik, andaj edhe vazhdon me këtë nismë.

Sipas tij, Rama nuk po e vendos Kosovën në një pozitë jo të mirë me pjesëmarrja e Shqipërisë në “Open Balkan”.

“Shqipëria është shtet sovran. Vendimet i saj i marrin përfaqësuesit e saj te zgjedhur. Shqipëria nën qeverisjen e kryeministrit Rama e ka vlerësuar si interes strategjik për shtetin e tij projektin për lëvizje të lirë të njerëzve e kapitalit, që quhet Ballkan i Hapur. Kosova, pozitë e opozitë e kanë refuzuar këtë projekt. Për gjykimin tim, Edi Rama po bënë hapa të guximshëm politik e ekonomik. Nuk besoj fare në dokrrat e kafeneve kosovare se Rama po e vendose në pozite të keqe Kosovën”, u shpreh Berisha për Arbresh.info

Për këtë çështje, gazetari Berisha po fajëson politikanët kosovare. Hedhjen e fajit tek kryeministri shqiptar, Edi Rama, Berisha e sheh si papjekuri nga ana e politikanëve kosovarë.

Ai madje ka renditur dhe refuzimet për iniciativa të tjera të Qeverisë Kurti. Berisha ka ngritur shumë pikëpyetje rreth veprimeve të kësaj qeverisje.

“Problemin këtu në Kosove e kemi me një elitë politike që është kurthuar në një rreth vicioz përplasjesh në kuadër të qërimit të hesapeve thuajse fisnore. Kosova është duke vendnumëruar në pikëpamje të shtet-ndërtimit. Prandaj mos ta fajësojmë Ramën për rekorde axhamillëku të Kosovës. Si do të përgjigjet qeveria jonë nëse ta zëmë përveç BE-së, që i dha sot mbështetje “Open Balkan”, në të njëjtën linjë do të rreshtohet edhe Uashingtoni? Natyrisht që pres refuzim nga kjo mazhorancë që po e qeverisë Kosovën sikundër që e refuzoi në esencë edhe projektin e gazit amerikan. Dhe a e dini pse? Sepse jemi duke jetuar me repriza përplasjesh thuajse fisnore, më së paku po ideojmë strategji afatgjate për perspektiven e shtetit tone. Keq, shumë keq!”, ka përfunduar Berisha.

Thuajse të njëjtin mendim me Berishën ka edhe njohësja e çështjeve politike, Aferdita Maliqi.

Ajo thotë se përkundër asaj që ardhja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Tiranë nuk është në të mirë të Kosovës, tri shtete po i zhvillojnë agjendat e tyre.

Maliqi e vlerëson si të drejt, vendimin e shtetit të Kosovës për të refuzuar pjesëmarrjen në “Open Balkan”.

“Ardhja e Vuçiqit në Tiranë nuk është hera e parë, sepse ka pas edhe vizita tjera. Tashmë në kuadër të “Open Balkan”, tri shtetet pjesëmarrëse kanë agjendat e veta. Neve në Kosovë nuk ndihemi mirë sa herë shohim Vuçiq në Shqipëri, por ata po i zhvillojnë agjendat si shtete. Rama po e zhvillon agjendën e vet si kryeministër i Shqipërisë dhe i ka idetë e qarta në atë që ai po bënë me Open. Sa i përket Kosovës, Kosova është ftuar të jetë pjesë, por me të drejtë ka refuzuar, për shkak të raporteve me Serbinë që kemi”, thotë ajo.

Maliqi pjesëmarrjen e Ramës në Open Balkan nuk e sheh si tradhëti ndaj Kosovës.

“Unë nuk besoj që Rama mund ta tradhtojë Kosovën siç po akuzohet, por e shoh se Rama i ka objektivat e veta”, tha Maliqi për arbresh.info

Pikërisht kundër pjesëmarrjes së presidentit serb në Tiranë, të hënën e 21 dhjetorit me iniciativë të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës është organizuar një protestë para ndërtesës së Qeverisë shqiptare, ku nuk mungosi as diegja e flamujve serbë nga ana e protestuesve.

Qëndrimi i presidentit serb në Tiranë në kuadër të samitit të “Open Ballkanit”, zgjati dy ditë.

Kujtojmë se iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Iniciativën për “Open Balkan” tash për tash e përkrahin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme