Gjatë kësaj jave pritet të ketë intensifikim të zhvillimeve lidhur me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
BE-ja ka paralajmëruar takime në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Mirëpo, njohës të çështjeve politike në Kosovë, vlerësojnë se do të ketë ndryshim në hapat e dialogut pas ngjarjeve në veri.
Kosova dhe Serbia do të kenë një dinamikë tjetër të dialogut, ndërsa priten edhe takime gjatë kësaj jave në Bruksel, kanë thënë ditë më parë burime të BE-së.
Edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka paralajmëruar se për Kosovën dhe Serbinë do të debatohet në takimet e ndryshme gjatë kësaj jave.
E për këto zhvillime, njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se do të ketë ndryshim në hapat e dialogut pas ngjarjeve në veri.
Analisti Artan Muhaxhiri tha për Radio Kosovën se pritet që gjatë javës të ketë presione të mëdha nga Brukseli e Uashingtoni, në mënyrë që Kurti e Vuçiq të takohen sërish për t’u ri-kthyer në tavolinën e bisedimeve dhe të vazhdohet me një format të ri të dialogut.
“Kushti i parë është dënimi zyrtar i Serbisë për pjesëmarrje në ngjarjet në Banjskë dhe pa këtë hap nuk mund të ketë asnjë zhvillim tjetër. Mirëpo, pritet që edhe kjo të ndodhë dhe pastaj topi do të jetë në anën e Kosovës, pasi qeveria e vendit do të duhej të japë përgjigjen për qëndrimin e saj në raport me Asociacionin, me fillimin e draftit dhe hapave të tjerë. Kosova duhet të jetë e përgatitur për hapat pas dënimit politik të Serbisë për ngjarjet në veri, sepse pastaj përgjegjësia do të jetë te Qeveria e Kosovës dhe do të kërkohen hapa më intensivë. Ky momentum pozitiv për Kosovën nuk mund të zgjasë përjetësisht dhe Qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme që të ofrojë përgjigje për aleatët tanë në momentin kur të normalizohet edhe rruga e procesit të dialogut”, thekson Muhaxhiri.
E profesori universitar, Dritëro Arifi, mendon se takimi në Bruksel mund të jetë një lloj rikonfirmimi i vazhdimit të dialogut për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Por, ai theksoi se BE-ja nuk po bënë mjaftueshëm në zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në përgjithësi besoj se kjo marrëveshje veç është tejkaluar në kuptimin e asaj që mund të prodhojë paqe. Edhe nëse do të ketë ndonjë pajtim për ndonjë pikë, kjo vetëm do ta shtyjë edhe për 10 vjet “status quon”. BE-ja nuk po dëshiron ta zgjidhë problemin në formën që do të duhej ta zgjidhte që nga viti 2008. Në momentin që nuk kemi zgjidhje definitive politike, ose me njohje reciproke, ose njohje nga pesë vendet e BE-së, çështja e Kosovës do të mbetet e hapur dhe t’i dërgohet sinjal Serbisë, respektivisht Rusisë dhe Kinës që çështja e Kosovës nga këndvështrimi i BE-së nuk është e zgjidhur”, potencon Arifi.
Kosova dhe Serbia kanë vetëm disa ditë për t’u deklaruar rreth kërkesave të cilat të shtunën që shkoi, i solli në Prishtinë e Beograd “Pesëshja e madhe” evropiano-amerikane.
Nëse palët tregojnë gatishmëri, atëherë pritet që këtë të enjte të mbahet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ky afat lidhet edhe me mbajtjen e Samitit të Këshillit Evropian, pasi shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së do t’i kushtojnë hapësirë edhe procesit të normalizimit si dhe situatës së sigurisë në Kosovë.
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...
Dështon mbledhja e Komisionit për Ekonomi, shkak mungesa e k...
BE-ja i bën thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëp...