Google ADS

Analistët me mendime të ndryshme rreth bashkimit Kosovë-Shqipëri

00:12 | 29 Nëntor 2017
Trina Galanxhi

Me rastin e festës së 28 Nëntorit, çështja e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë është kthyer ne debat, madje mesazhe për bashkimin e dy shteteve ka pasur edhe nga politikanë të ndryshëm.

Por, analistët në Kosovë kanë mendime të ndryshme sa i përket bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një emision në RTV Dukagjini.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se para se të ndodhë bashkimi kombëtar, është që të forcohet shteti i Kosovës.

Ai ka theksuar se bashkimi kombëtar duhet parë në interesin e dy anshëm dhe se nuk ka lidhje këtu emocionaliteti.

“Përpara bashkimit unë jam që të forcohet shteti ynë pra Kosova. Fatkeqësisht elitat politike si në Kosovë edhe në Shqipëri i kanë sjellë këto dy shtete në shtete të kriminalizuara deri në palcë, në shtete të korruptuara, me ekonomi të dobët, me arsim katastrofal”, ka thënë Mushkolaj.

Analisti, Jusuf Thaçi ka thënë se shqiptarët kanë të drejtë historike për tu bashkuar.

Sipas tij, nuk ka ndonjë arsye për mos ndodhjen e bashkimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Unë me bashkim kombëtar kuptoj bashkimin e katër vilajeteve që nga koha e Sami Frashërit. Nuk besoj që nuk mund të gjendet ndonjë arsye racionale se përse nuk duhet të ndodhë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, ka thënë Thaçi.

Analisti, Arton Demhasaj duke folur për bashkimin kombëtar në  këtë emisionin ka thënë se bashkimi i shqiptarëve nuk mund të ndodhë.

“Një bashkim i tillë i shqiptarëve nuk mund të ndodhë pasi që po flasim për disa territore që janë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Demhasaj.

Ai ka shtuar se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund të ndikojë të thellohet ndarja e shqiptarëve që janë jashtë këtyre dy shteteve./Lajmi.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme