Pas tensioneve në veri që alarmuan gjithë botën, ka filluar së zbatuari marrëveshja e Kosovës me BE-në, e që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.
Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur procedurën për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit, por edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, siç ka kërkuar Bashkimi Evropian.
Për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, gatishmëri ka shprehur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për përmbushjen e detyrave që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.
Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se zgjedhjet në veri s’do të kenë efekt nëse bojkotohen sërish nga serbët, dhe sipas tyre komuniteti ndërkombëtar duhet t’u bëjë presion serbëve lokal që të marrin pjesë në zgjedhje.
Baraliu: Zgjedhjet mund të mbahen në vjeshtë, tani nuk është koha
Mazllum Baraliu, analist politik për Arbresh.info tha se momentalisht nuk është koha që të mbahen zgjedhjet.
“Tash nuk është koha, sepse është periudha e pushimeve verore dhe pjesa dërrmuese e njerëzve janë në pushime. KQZ është e zakonshme që thotë se janë të gatshme sepse e kanë për detyrë që të jenë ligjërisht të gatshëm e të përgatitur çdoherë për zgjedhje. Zgjedhjet kërkojnë përgatitje, kërkojnë një kohë të konsiderueshme, përgatitje disa mujore. Mendoj që tani në asnjë mënyrë, por në vjeshtë mes vjeshtës ose eventualisht në fund të vjeshtës po mund të ketë zgjedhje patjetër”, tha Baraliu.
Sipas tij, edhe në këto zgjedhje Serbia do mundohet që të ndikojë, por në mënyrë indirekte, për shkak të sanksioneve që mund t’ia vendos BE-ja.
“Patjetër që mundët, prandaj ekziston droja se Serbia përsëri bënë obstruksione, por nuk guxon për shkak të presionit ndërkombëtar dhe frikës që do ti vënë sanksione edhe asaj haptazi. Vuçiqi e bënë me metoda të tjera siç din ai ta bënë. Dhe fakti se ata po heshtin nuk po thonë që po ne marrim pjesë në zgjedhje”, u shpreh Baraliu.
Ai, shton se Serbia po bënë luftë hibride për arsyeje siç thotë ai, të tërheq vëmendjen nga dialogu.
“Mund të ketë destruksion, se Serbia është me metoda prej më të ndryshme pra të kombinuara hibride. Po bënë luftë hibride që ta pengojnë Kosovën që ta veçorizoj dhe problematizoj, ta bënë çështjen e veriut kinse të drejtat me qëllim që me tërheq vëmendjen nga dialogu sepse atë nuk e do Serbia”, tha në fund Baraliu.
Maliqi: Zgjedhjet nuk do të kenë rëndësi nëse bojkotohen sërish
Analistja politike, Aferdita Maliqi për Arbresh.info ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka folur me PDK-në për shkarkimin e dy kryetarëve të kësaj partie në veri.
“Kryeministri Kurti është dakorduar për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, madje ka filluar edhe hartimi i një UA për mënyrën se si do të hiqen kryetarët atje. Por, Kurti nuk ka marr mundimin të flas me PDK, parti kjo qe i ka dy kryetarë të zgjedhur në komunat veriore. Është pak hipotetike mënyra për largimin me referendum të kryetarëve, pasi që Ligji e sqaron pjesëmarrjen e qytetarëve në referendum”, tha Maliqi.
Sipas saj, edhe nëse krijohen kushtet nga KQZ, tani nuk është koha e përshtatshme për zgjedhje.
“Muajt e verës nuk janë të përshtatshëm për zgjedhje, dhe nëse arrin Qeveria të përgatitet, besoj tetori dhe nëntori janë muaj me optimal. Por, nëse do te krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve, komuniteti ndërkombëtar duhet të orientojë presionin kah serbet lokal, që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Në të kundërtën, zgjedhjet nuk do të kenë rëndësi, nëse bojkotohen sërish”, u shpreh Maliqi.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet në veri nuk do të mbahen pa u shtensionuar e gjithë situata në veri dhe pa u larguar sanksionet e BE-së ndaj Kosovës.
Ndërsa, BE-ja disa herë ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen sa më afër.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën me 26 maj kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme e të dhunshme. /Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...