Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditë më parë në një diskutim të mbajtur me OJQ foli për Gjykatën Speciale.
Thaçi në këtë diskutim tha se për krijimin e një gjykate të tillë bashkësia ndërkombëtare i ka premtuar Kosovës disa çështje si liberalizim vizash, integrim evropian e formimin e ushtrisë.
Këtë deklaratë nuk e pritën fare mirë diplomatë të huaj të cilët edhe u larguan nga salla ku po mbahej diskutimi.
Sipas analistit politik, ImerMushkolaj presidenti shprehu frustrimin e tij për premtimet që i ishin bërë, por siç tha ai që nuk kanë qenë të njohura për qytetarët e Kosovës.
“Thaçi nuk është dashur që një institucion që pritet të ndajë drejtësi, siç është Gjykata Speciale, të lejojë për t’u krijuar shkaku i të tilla premtimeve. Nuk është e rastësishme që Thaçi flet pikërisht tash për gjëra të tilla dhe ndihet i mashtruar. Aktakuzat e para nga gjykata janë afër të ngrihen dhe ka mundësi që ai të jetë një ndër ata që do të përfshihet në ndonjërën nga to”, ka thënë Mushkolaj për portalin arbresh.info.
Bajrush Morina, analist politik tha për portalin arbresh.info se shprehja e presidentit në këtë mënyrë ka të bëjë me kohën e afrimit të veprimit të Gjykatës Speciale.
“Çka i kanë premtuar Thaçit shtetet mike të Kosovës po del të jetë e pavërtetë sepse vendet e BE-së po e thonë të kundërtën, ndërkaq largimi demonstrivisht i ambasadorit britanik derisa presidenti Thaçi hedh gur e drum mbi faktorin ndërkombëtar ishte përgjigja më e mirë ndaj reagimeve të fundit të Thaçit. Për këtë mendoj se ka vetëm një arsye, koha e veprimit të Gjykatës speciale po afrohet ndërkaq është normale se edhe nervoza e Thaçit shtohet”, tha ai.
Sipas tij një situatë e tillë nuk mund të kthehet dhe se Specialja ka marrë ‘vizën’.
“Në një situatë të tillë nuk ka më “pishmanxhinj”, Specialja ka marrë “vizën” prej Kuvendi të Kosovës ndërkaq çdo përpjekje për të revokuar këtë votim të Kuvendit për formimin e dhomave të veçanta për Gjykatën Speciale është e vonë, e pamundshme dhe e paarsyeshme. Dimri i madh po afrohet, po thonë se “temperaturat politike” kësaj here do të ulen tepër shumë…Ata që do të “mërdhinjë” gjatë këtij dimrit është mirë të përgatiten me kohë”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, njohësi tjetër i çështjeve politike, Leon Duhanaj tha se Presidenti nuk duhet të vajtoj duke shkaktuar ftohje të raporteve me shtetet mike.
“Ndoshta e sheh veten te mashtruar, pasi që ka pretenduar të mos bëhet subjekt i kësaj gjykate. E nëse bëhet atëherë i prishen planet personale. Për gjëra tjera as që i shkakton veti kokëçarje. Mund të jetë edhe një para arsyetim ndaj “shokëve” që mund të jenë të akuzuar”, ka thënë ai.
Duhanaj ka theksuar se Gjykata Speciale, duhet bërë patjetër, pasi që komuniteti ndërkombëtar nuk beson që organet vendore mund ta kryejnë këtë punë.
“Kjo përfshinë gjykimin eventual të njerëzve me ndikim duke përfshirë edhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Për këtë arsye Kosova u gjend para dy mundësive: Ta themeloj vetë Gjykatën Speciale apo, këtë ta bëj Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Duke qenë se shtetet mike të Kosovës, dëshironin t’i ikin pjesëmarrjes së Rusisë, shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, këshilluan vendorët që ta themelojnë vetë, me ç’rast edhe gjykata do të përbëhej nga ndërkombëtarët, por bazuar në ligjet e Kosovës dhe, në kuadër të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Ndërkohë, presidenti Thaçi pas takimit që ka pasur të mërkurën që shkoi me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta ka deklaruar se lidershipi i Kosovës kishte dy zgjidhje për Gjykatën Speciale: ta votonte vetë në Kuvendin e Kosovës ose kjo çështje do të shkonte në OKB e që do të ishte në dëm të Kosovës sa i përket politikës së jashtme.
Thaçi ka thënë se duke u ndodhur në këtë udhëkryq, u bë zgjidhja më e mirë nga dy zgjidhjet e këqija që bashkësia ndërkombëtare i kishte vënë Kosovës për këtë Gjykatë./V.Berisha/arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...