Liderët e partive politike në Kosovë duhet të kenë vullnet për të gjetur kompromis për të dalë nga kriza, në të cilën është futur vendi pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, thonë analistë të çështjeve politike.
Kuvendi i Kosovës, edhe pse ka mbajtur më shumë se katër vazhdime të seancës konstituive, nuk ka arritur ende të zgjedhë kryeparlamentarin dhe nënkryetarët.
Nga kjo situatë e brishtë politike, në të cilën është futur vendi sipas analistëve po pësojnë proceset zhvillimore dhe qytetarët e Kosovës. Këta të fundit në një anketë të bërë nga Radio Evropa e Lirë shprehen të shqetësuar për situatën aktuale politike në vend.
Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse vetëm ka vullnet për të pasur kompromis ndërmjet partive politike të përfaqësuar në Kuvend, këto kompromise janë të shumta.
“Janë dy veprime të nevojshme për të zhbllokuar situatën aktuale politike. E para është që koalicioni PAN të dalë me një kandidat tjetër që është i pranuar për shumicën parlamentare, jo me Kadri Veselin (kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës), i cili nuk po gjen mbështetje, ky do të ishte kompromisi i parë që do ta zhbllokonte situatën”.
“Kompromisi i dytë është që partitë tjera si Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LAA ta votojnë Kadri Veselin për kryeparlamentar. Opsione tjera për momentin nuk ka në shqyrtim. Kjo do të ishte një zgjidhje e shpejtë ”, thekson Krasniqi.
Vazhdimet e seancave konstituive dështuan pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën (PAN), nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit.
Qytetarët thonë se kjo gjendje politike, në të cilën ka hyrë Kosova, duhet të tejkalohet, pasi që, siç thonë ata, janë shumë procese që kërkojnë zgjidhje urgjente.
Ariani, student në Universitetin e Prishtinës e quan të pakuptimtë moskrijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet. Ai kërkon nga liderët e partive politike që të gjejnë zgjidhje dhe të dalin nga kjo situatë.
“Partitë politike duhet të bëhen bashkë, të diskutojnë në një tryezë, të merren vesh për tema të mëdha siç është demarkacioni dhe më pas liberalizimi dhe ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët se po pësojmë ne populli”, thotë ai.
Erion Kajtazi, qytetar nga Prishtina, e quan kritike situatën politike, në të cilën është futur vendi.
“Situata politike në Kosovë tani konsideroj që është në një situatë kritike, ka shumë gjëra të papërfunduara që do të paraqesin probleme në të ardhmen. Ky bllokim politik është në dëm edhe të politikës, e edhe të qytetarëve”, thekson ai.
Ngjashëm shprehet edhe Ismet Kadriu:
“Udhëheqësit e partive duhet të bëjnë diçka dhe ta kalojnë këtë situatë, po i bëjnë dëm të madh vendit, janë shumë gjëra ta pa kryera që kërkojnë zgjidhje”.
Ndërkohë, analisti politik Albert Krasniqi thotë se deputetët, si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, duhet të shprehin vullnetin e qytetarëve.
“Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës, të cilët e kanë shprehur në zgjedhje dhe këtë vullnet, ata duhet ta ekzekutojnë në Parlament si përfaqësues të qytetarëve. Mirëpo, deri më tani ka munguar ky vullnet, pasi që mbizotërojnë interesat personale, ambiciet personale, dhe të liderëve të partive politike dhe këto po triumfojnë mbi interesat e përgjithshme shtetërore”, vlerëson Krasniqi.
Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive është caktuar të mbahet me datën 24 gusht.
Deri më tash, asnjë nga partitë politike nuk ka refuzuar caktimin e kësaj date për vazhdimin e seancës, por kanë vazhduar duke akuzuar njëra-tjetrën për bllokim të institucioneve të vendit.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re.
Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...