Analistë dhe opozitarë serbë: Dialogu për Kosovën, fasadë dhe blerje e kohës nga Vuçiqi

09:13 | 4 Nëntor 2017
Arbresh.info

Anëtari i Këshillit Politik të Partisë Popullore në Serbi, Çedomir Antiq, ka vlerësuar se dialogu i brendshëm për Kosovën është lansuar në mënyrë që të mos ketë dialog të vërtetë.

“Nëse keni një qëllim të qartë mund të arrini diçka. Ndërsa ashtu si mendojmë ne, as këtë që e kemi nuk do të mund ta shpëtojmë”, tha Antiq.

Në një situatë ku presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar dialog të brendshëm për Kosovën, pa i specifikuar temat, duke bërë të ditur shumë shpejt se raundi i parë i këtij dialogu përfundoi dhe nisi një raund i ri, opinioni Antiqit nuk është i vetëm.

Takimi i së hënës i Marko Gjuriqit- drejtorit të Zyrës për Kosovën dhe kryetar i Grupit të Punës për Mbështetjen e Dialogut të Brendshëm, mblodhi më shumë se 40 profesorë të drejtësisë dhe dekanë të fakulteteve të drejtësisë në Serbi. Ndërsa, propozimet ishin më të ndryshme, shkruan gazetas serbe “Vesti”, përcjell Telegrafi.

“Dialogu i brendshëm, ndryshe nga ajo që Vuçiq premtoi në Bruksel, tani është një seri konsultimesh politike që synojnë më shumë propagandën e asaj që Vuçiq ka për qëllim. Si  mund të shpjegohet ndryshe, kur profesorët e të drejtës kushtetuese, të cilët nuk kanë folur për 20 apo 30 vjet, papritmas janë bërë të rëndësishëm. Si mund të shpjegoni që Vladan Kutleshiq, i cili ka shkatërruar të gjitha mundësitë me Sllobodan Millosheviqin, tani jep disa ide fantastike rreth konfederatës dhe të ngjashme. Është një mashtrim dhe keqpërdorim i titullit, për të krijuar një iluzion se ka pasur ide të ndryshme”, thotë Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike.

Lider i së majtës në Serbi, Borko Stefanoviq dhe ish-negociatori i Beogradit në Bruksel vlerëson se ky dialog i brendshëm është “fasadë dhe blerje e kohës, por edhe nevojë që pushteti të ketë një alibi”.

“Vuçiqi në këtë mënyrë bën një teatër hijesh. Askush nga faktorët e opozitës politike nuk është ftuar, por njerëzit thirren në mënyrë selektive. Është e paqartë se çfarë diskutuan dekanët e nderuar të Fakulteteve Juridike dhe nëse ata dinin hollësitë e të gjitha negociatave në Bruksel. Pra, kjo është në fakt një lloj alibi për pushtetin, që të thonë se kanë konsensus dhe bisedime për diçka që ka planifikuar të bëjë Presidenti Vuçiq. Unë pres që së shpejti do të ftojë përfaqësuesit e Kishës, të cilët do të jenë shumë konstruktivë, të djathtën e rreme të Vuçiqit, paradjathtistët dhe djathtistët ekstremë, të cilët kritikojnë të gjithë, përveç Vuçiqit dhe bërjes së qeverisë me Ramush Haradinajn”, tha Stefanoviq.

Ndërsa, Dushan Janjiq shton se opozita duket se ka filluar të merret me Kosovën dhe se Vuçiq arriti qëllimin që të ngre këtë çështje, në mënyrë që ta përdorë atë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat po spekulohet se mund të mbahen vitin e ardhshëm.

“Në fakt, të gjithë japin mendimin e tyre. Dikush në këtë kanal të organizuar, të ngushtë dhe manipulues, të udhëhequr nga Marko Gjuriq, të tjerët si kritikë ndaj atij kanali, dhe disa përmes dialogut mbi dialogun. Do të ketë kaq shumë shpërthime shoviniste dhe kërkesa ekstreme, të cilat Vuçiqit do t’ia  krijojë një pozicion të shpëtimtarit dhe e gjithë kjo do të zvarritet deri në mars, për të qenë në funksion të zgjedhjeve”, tha Janjiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme