Rastet e ngacmimeve seksuale tek të miturit në Kosovë nuk po trajtohen me prioritet.
Zvarritjet vërehen në secilën hallkë të raportimit të këtyre rasteve, nga familja e deri tek vendimet finale nëpër gjykata.
Për më tepër, dënimet për abuzuesit janë tepër të vogla sikur që jo të gjitha rastet arrijnë të trajtohen me kohë nga institucionet e drejtësisë.
Ekspertët vlerësojnë se përveç trajtimit me prioritet të këtyre rasteve nga prokuroria e gjyqësia, personat e tillë duhet të linçohen publikisht.
Vetëm gjatë vitit 2019, 126 raste i janë drejtuar gjykatave për abuzime seksuale ndaj të miturve, por që epilog kanë arritur të gjejnë vetëm 26 raste.
Aishe Qorraj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se 14 persona janë dënuar me burg në vitin 2019 për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16 vjeçare, dhe 26 lëndë akoma janë të pazgjidhura.
“Këta 14 persona janë dënuar me burg, 1 person është dënuar me gjobë, 4 persona janë dënuar me kusht, 4 persona me aktgjykim lirues, 1 person me aktgjykim refuzues. E nga të gjitha këto 26 janë lëndë të zgjidhura akoma”, bënë të ditur Qorraj për arbresh.info.
Në Prokurorinë e Shtetit vetëm në vitin 2020 janë paraqitur 1720 raste me veprat penale/rastet kundër integritetit seksual sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe në mesin e tyre janë 28 raste të keqpërdorimit seksual nën moshën 16 vjeçare.
“Për ketë tremujor i kemi këto të dhëna, dhunë seksuale janë 20 raste ndërsa sulmi seksual janë identifikuar 9 raste”, shprehet zëdhënësi i prokurorisë, Ekrem Lutfiu, pa saktësuar nëse bëhet fjalë për të mitur.
Në Policinë e Kosovës ngacmimet seksuale nuk janë të ndara sipas moshës po hynë në kategorinë si të gjitha moshat.
“Në vitin 2019 janë raportuar 40 raste Ngacmimi Seksual dhe ne vitin 2020, janë raportuar 48 raste. Këto janë raste të përgjithshme, d.m.th. nuk janë të ndara sipas moshës, por janë të të gjitha moshave”, thuhet në përgjigjen e policisë për arbresh.info.
Njohësi i çështjeve të sigurisë së Kosovës, Nuredin Ibishi, për arbresh.info ka thënë se këto raste shpesh herë përballen me paragjykime dhe frikë andaj statistikat e institucioneve përkatëse shpesh herë nuk janë reale.
“Unë mendoj se nuk janë reale, prej Policisë së Kosovës janë korrekte në bazë të asaj se sa janë paraqitur, pasi që në shumicën e rasteve këto raste të ngacmimeve seksuale nuk paraqiten, për arse të ndryshme si p.sh ato tradicionale, paragjykimet, e po ashtu edhe me aspektin patriarkal. Të dy gjinitë janë objekte të keqtrajtimeve seksuale dhe nuk i paraqesin për arsyet të cilat i përmenda por edhe të frikës”, tha Ibishi.
I pyetur se a do duhej që në këto raste të bëhej linçime publike, Ibishi tha që është mëse e domosdoshme që këta persona t’i njoh publiku.
“Do duhej të bëhej një sensibilizim i opinionit, pasi si shkak i ndjeshmërisë së rasteve që ndodhin tek të miturit, personat të cilët i kryen këto akte nuk do duhej që të bëhej fshehja e të dhëna për asnjë arsye. E kjo ndodhë shpesh që me apostrofimin e tyre mund të mos jetë me diskrete çështja e familjes e reputacionit etj, por që për rastet të tilla unë jam që opinioni të jetë në dijeni për sulmuesin por jo edhe për identitetin e fëmijëve, kushtimisht të cilët veç janë sulmuar. Mjekësia ligjore pastaj e vendos se a kanë probleme mendore këtë persona, a janë psikopat apo çka. Prandaj rrethi duhet t’i njoh ata që janë si abuzues të të miturve dhe të miturave”, përfundoi Ibishi.
Theksojmë se organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve disa herë u kanë rekomanduar institucioneve që të bëjnë punë më efektive në zgjidhjen e rasteve nga institucionet e drejtësisë, dhe mbrojtjen e fëmijëve duke parandaluar këto raste. /S.D/arbresh.info/
Ngritët aktakuzë kundër një serbi për krime lufte në Kosovë
Berisha ka dy kërkesa para mbledhjes së përbashkët të kuvend...
Beogradi ia refuzon hyrjen në Preshevë ministrit Hajrullah Ç...
Policia zhvilloi 460 ligjërata në shkollat e Prishtinës gjat...
Sondazhi i Arbresh.info në Facebook, LVV mbi 50%
Hasani pret homologun polak: Jemi të gatshëm të punojnë së b...