Google ADS

Amerika ngre akuza ndaj tre hakerëve shqiptarë

11:39 | 8 Shkurt 2018
Arbresh Info

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi dje se ka ngritur aktakuzë ndaj 36 personave, të përfshirë në një skemë globale të vjedhjes në internet që kanë shkaktuar dëme prej mbi 430 milionë eurove.

13 nga të akuzuarit janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë nga Kosova, ndërsa 23 të tjerët ende nuk janë arrestuar.

Në mesin e personave që ende nuk janë arrestuar është edhe njëri nga njerëzit kryesor të këtij grupi kriminal, shqiptari Aldo Ymeraj, shkruan portali arbresh.info.

Ky grup kryesisht merrej me vjedhjen dhe klonimin e kredit kartelave, të cilat i shisnin në këmbim të kripto valutave (kryesisht Bitcoin) në një forum të tregut të zi të krijuar në vitin 2010 nga ukrainasi Svyatoslav Bondarkeno. Në po këtë vit këtij grupi iu bashkua edhe shqiptari Aldo Ymeraj, i cili u bë njëri nga administratorët e këtij forumi.

 

Dy hakerët e arrestuar nga Policia e Kosovës, Liridon Musliu dhe Besart Hoxha akuzohen nga Departamenti i i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vjedhjen, shitjen dhe klonimin e kreditë kartelave të shtetasve të ndryshëm nga mbarë bota.

Liridon Musliu, 26 vjeçar nga Kosova, është bërë pjesë e këtij grupi në Gusht të vitit 2011 dhe akuzohet se ka bërë shitjen e të dhënave të kredit kartelave të ndryshme përmes këtij forumi si dhe përmes disa ueb faqeve tjera që ai i ka hapur (ccstore.me, ccstore.name dhe ccstore.ws). Ai akuzohet se ju ka shkaktuar dëme viktimave nga shtete të ndryshme në vlerë prej rreth 230 milionë eurove.

Besart Hoxha, 25 vjeçar nga Kosova, është bërë pjesë e këtij grupi në Janar të vitit 2011 dhe akuzohet se në këmbim të pagesave me kripto valuta ka bërë klonimin e kredit kartelave me kërkesë të anëtarëve të forumit.

Shqiptari tjetër, Aldo Ymeraj që nuk është arrestuar ende akuzohet për vjedhjen dhe shitjen e kredit kartelave. Ai e ka shfrytëzuar forumin për të gjetur persona të interesuar në blerjen e të dhënave të kredit kartelave të ndryshme që i shiste në dy nga ueb faqet e tij (bastard.su dhe niii.in).

Në njoftimin e Departamentit të Drejtësisë, thuhet se për arrestimin e dy të pandehurve shqiptarë, ka bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, përfshirë këtu Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit të Kosovës./arbresh.info/

Të ngjashme