Google ADS

Ambasadorja gjermane thirrje për dialog, djegia e mandateve përgjegjësi individuale

19:45 | 20 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranës, Suzane Schutz ka reaguar pas firmosjes nga ana e deputetëve të Opozitës për lënien e mandateve.

Pas zyrtarizmit të vendimit ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga Gjermania.

Ambasadorja gjermane në Tiranë bën thirrje për dialog, ndërsa shprehet se djegia e mandateve është përgjegjësi individuale e deputetëve.

Deklaratë e Ambasadores Gjermane Suzane Schutz:

Unë po i ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale.

Jam e bindur se bojkoti i parlamentit apo dorëzimi i mandateve janë një rrugë e gabuar. Gjithsesi çdo deputet e merr këtë vendim në mënyrë individuale dhe mban përgjegjësi për këtë para së gjithash përpara zgjedhësve të vet.

Por në interes të Shqipërisë unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike që ndryshimet në opinione t’i përballin në formën e një dialogu konstruktiv në parlament.

Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete.

Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme.

Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore.

Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet.

Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal Gjerman Steinmeier.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme