Ambasadorja e Kosovës në Itali: Vatikani do ta njohë Kosovën

13:46 | 1 Janar 2018
Arbresh.info

Ndonëse është një shtet i vogël, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Vatikanit mund të luaj një rol të rëndësishëm për shtetin tonë. Mirëpo, a mund të ndodhë një gjë e tillë, këtë e shpjegon diplomatja kosovare në Romë, Alma Lama.

Në një intervistë për “Indeksonline”, ajo ka treguar se në Parlamentin Italian kanë arritur ta kenë një Dhomë të Tregtisë e cila ka sjellë investitorë të shumtë  nga Italia  në Kosovë.

Poashtu, Lama ka folur edhe për çështjen e Vatikanit rreth asaj se a ka mundësi ta njohë Kosovën? Sipas saj, ka shumë arsye që kjo njohje të vjen sa më shpejt. Ajo thotë se Kosova e ka ruajtur gjithnjë tolerancën fetare, me këtë rast, njohja nga Vatikani është më se e merituar.

Ambasadorja kosovare ka treguar edhe arsyen e përplasjes verbale  me ambasadorin serb në Universitetin La Sapienza në Itali në konferencën me temën “rreth luftës dhe dëmtimit të trashëgimisë kulturore në ish-Jugosllavi”.

Kjo përplasje ka ardhur pasi Lama ka vërejtur se aty po sulmohej Kosova dhe Kroacia.

E pa dyshim aty s’ka munguar reagimi i ashpër i Lamës.

“Ne si shtet dhe si popull kemi raporte të shkëlqyer me Vatikanin, zyrtarët e Kosovës, janë pritur në takimet e nivelit më të lartë nga Selia e Shenjtë, mirëpo ende njohja formale nuk ka ndodhur, dhe unë shpresoj që kjo mos të zgjasë për shumë kohë”, ka thënë ajo.

“Unë besoj se meqë jemi pjesë e një kombi që është i pari që ka përqafuar krishtërimin dhe megjithë ndryshimet dramatike përgjatë shekujve, kemi ruajtur tolerancën fetare; meqë jemi pjesë e një kombi që i ka dhënë botës dy figura të mëdha siç është Skenderbeu i cilësuar si “Atlet i Krishtit” e si mbrojtës i civilizimit përendimor nga errësira e pushtimit otoman; meqë jemi një komb që i kemi dhënë botës Nënë Terezën, përfaqësuesen më të madhe dhe më të denjë të humanizmit, e meritojmë njohjen e pavarësisë së shtetit tonë nga Selia e Shenjtë dhe besoj se ajo do të vijë”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme