Google ADS

Ambasadorja e Holandës në Prishtinë ofroi mbështetje për sistemin prokurorial të Kosovës

16:42 | 21 Mars 2017
M. A.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në një takim pune, ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Gerrie Willems.

Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi, e njoftoi ambasadoren Willems me efikasitetin e sistemit prokurorial, duke theksuar se prokurorët e Shtetit janë të vendosur dhe të gatshëm që të kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit, si dhe të ndërgjegjshëm për t’u përballuar me sfidat që i ka sistemi prokurorial, duke shpresuar se në këtë drejtim do të vazhdoi përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, me të cilët tashmë është ndërtuar bashkëpunim i mirëfilltë në realizimin e obligimeve ligjore.

Kreu i Prokurorit të Shtetit, pohoi se është i përkushtuar në rritjen e efikasitetit në gjithë sistemin prokurorial, në luftën sa më efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe veprave tjera penale, duke shtuar se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve të luftës.

Mes tjerash, gjatë këtij takimi është biseduar edhe për bashkëpunimin në mes Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve tjera të zbatimit të ligjit, për koordinim të veprimeve për luftën kundër kriminalitetit, e me theks të veçantë në parandalimin e korrupsionit.

Poashtu në këtë takim u bisedua edhe për projektet, të cilat mbështeten nga Ambasada Holandeze në drejtim të forcimit të integritetit të prokurorëve dhe stafit administrativ, si dhe për ngritjen e kapaciteteve dhe rolin e prokurorëve në hetimet financiare.

Ambasadorja Willems, duke vlerësuar punën që është duke e bërë Prokurori i Shtetit, në krye me kryeprokurorin Lumezi, shprehu gatishmërinë e saj dhe të vendit të saj, për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës në të gjitha çështjet që Holanda mund të kontribuojnë, me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi. Konkretisht ambasadorja e Holandës Gerrie Willems ofroi ndihmë nga Ambasada Holandeze në Prishtinë në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve, duke i trajnuar ata në fushën e hetimeve financiare dhe pastrimit të parave.

Në fund të takimit kryeprokurori Lumezi falënderoi ambasadoren e Holandës Gerrie Willems për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sistemit prokurorial të Kosovës dhe theksoi vendosmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit, duke dhënë rezultate në zbulimin dhe hetimin e veprave penale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme