Komuniteti ndërkombëtar po insiston vazhdimisht që Kosova të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Madje kjo çështje shihet si kusht mbi kusht për Republikën e Kosovës.
Mirëpo ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund në një intervistë për Tëvë1 thotë se duhet të ketë një plan sekuencimi për marrëveshjen e Ohrit.
Sipas tij të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen në të njëjtën kohë dhe të mos jetë fokusi vetëm tek çështja e Asociacionit.
“Ka dallime të mendimeve për Marrëveshjen e Ohrit nëse duhet ta nënshkruani apo jo. Ndërmjetësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, e ka nënvizuar disa herë se nuk ka nevojë për nënshkrim për marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë unë pajtohem me qeverinë e Kosovës kur thonë se duhet të ketë një plan sekuencimi. Nuk mund ta trajtoni vetëm një çështje nga marrëveshja e Ohrit dhe të thoni se do ta zbatojmë fillimisht këtë. Duhet ketë një plan sekuencimi dhe t’i zbatoni të gjitha marrëveshjet në të njëjtën kohë”, tha ambasadori suedez.
Tutje Westerlund shprehet kritik ndaj atyre që thonë se Asociacioni e Bosnjëzon Kosovën.
Madje thotë se formimi i Asociacionit në asnjë formë nuk përbën rrezik për shtetin e Kosovës.
“Krahasimi i Asociacionit me Republikën Sërpska është i padrejtë sepse situata në Bosnje dhe Hercegovinë është krejtësisht ndryshe. Në Bosnje jetojnë rreth 30% serbë, pra është një situatë tjetër. Besoj se është koha e duhur që të lëvizet para me themelimin e Asociacionit te Komunave me shumicë serbe sepse nuk përbën kërcënim për shtetin e Kosovës. Duhet të bëhet progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Për diplomatin evropian, situata e sigurisë mbetet e ndjeshme në pjesën veriore të vendit, derisa nuk zgjidhen të gjitha çështjet.
“Me shumë mundësi do të ketë një të dërguar të ri në procesin e dialogut, kështu që është koha për të bërë një vlerësim dhe ndoshta duhet të përqendrohemi më shumë në orarin për të cilin disa gjëra duhet të bien dakord në data të caktuara. Situata e sigurisë mbetet e ndjeshme nëse nuk zgjidhen të gjitha çështjet ne pjesën veriore të vendit”, tha Westerlund.
BE është shprehur e zhgënjyer me Kosovën dhe Serbinë që nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
KQZ me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset...
Kurti: Regjistrimi i popullsisë ofron pasqyrë të saktë për t...
Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Votimi i diasporës proces komple...
Hamza: Gjithçka është shtrenjtuar, unë do t’i rris pagat dhe...
Përfshihet nga zjarri një veturë në Prishtinë, policia jep d...
Mori një goditje të fortë në fytyrë nga kundërshtari, dalin ...