Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, tha se nuk kishte tendencë për të ofenduar besimtarët myslimanë përmes postimit të tij në Twitter ku shpërndau artikullin e një gazete që në ballinë kishte karikaturat e Profetit Muhamed,
Por, për kritikat që i mori, ai po thotë se le të sfidohet ligjërisht për këtë veprim, por jo me kërcënime.
“Tash, çfarë të mendojë një qytetar i Kosovës për ambasadorin e vet në Francë? Unë jam ambasador i të gjithëve, i atyre që besojnë, pa dallim feje, si dhe i atyre që s’besojnë fare. Por, unë jam edhe ambasador i një shteti i cili i krijua pikërisht duke u bazuar vlerat perëndimore, në liri e demokraci, në shtet ligjor. I një shteti i cili aspiron të integrohet në strukturat euro-atlantike. Pra, ju ftoj të reflektojmë së bashku, si lindi liria jonë dhe ku i kemi thënë vetes që po shkojmë”.
“Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pash njerëz që mund të jenë të lënduar sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar. Për më shumë, unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”.
Gashi tha se në emër të vlerave që e krijuan Kosovën e lirë dhe të pavarur solidarizohet plotësisht me viktimën dhe me shoqërinë franceze.
“Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë”.
Gashi në shkrimin e tij në Facebook tha se nuk e përkrah censurën e mediave dhe se është kundër ekstremizmit fetar.
Reagimi i plotë:
Edhe pse zakonisht nuk kam dashur të marr pjesë drejtpërdrejt në debatet e brendshme në Kosovë, duke qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Francë kjo nuk më përket, kësaj radhe më duhet t’ju drejtohem publikisht, të dashur qytetarë, për ta shpjeguar një veprim timin, por edhe një mendim timin dhe një bashkësi vlerash mbi të cilën kam vepruar gjithnjë.
Së pari, faktet. Të premten e kaluar iu hoq koka – po e përsëris, iu hoq koka – para një shkolle të mesme të ulët, një profesori të historisë-gjeografisë në një qytet afër Parisit. Krimi i tij: iu kishte ligjëruar nxënësve të tij për lirinë e shprehjes si dhe kufijtë e asaj lirie, dhe e kishte marrë shembullin e famshëm të Charlie Hebdo dhe ilustrimet e karikaturave të Muhamedit. Kjo ngjarje makabre e shokoi Francën, komunitetin e diplomatëve në Francë, por edhe tërë ata që e avancojnë dijen dhe tolerancën përmes arsimit kudo në botë. Unë vet jam profesor dhe e mbroj me ngulm lirinë akademike.
Të hënën gazeta e njohur “Le Figaro” e botoi një kronologji të ngjarjeve të aktit terrorist në fjalë dhe si ilustrim i përdori dy karikaturat e Charlie Hebdo. Unë e ndava artikullin, pra artikullin e plotë, në konton time në Tëitter, pa komentuar fare në përmbajtje e as në formë. Të njëjtat janë shfaqur në disa mediume në Kosovë, madje edhe mbrëmë, në kontekst informues. Unë nuk i censuroj mediat.
Disa orë më pas doli një deklaratë linçuese ndaj meje dhe ajo i nxiti disa fanatikë që jo vetëm të më ofendojnë e shajnë me gjuhë vulgare (edhe pse ata pretendonin se dikush kishte bërë një vulgaritet!) por edhe të më dërgojnë mesazhe kërcënuese, të cilat i raportohen organeve të rendit. Unë nuk e përkrah e as arsyetoj dhunën.
Ironia është se vitin e kaluar në Paris unë isha cak i sulmeve që vinin nga një “krah tjetër”, edhe pse më duhet ta them se në atë rast asnjë kërcënim fizik nuk e pata pranuar. Bëhet fjalë për veprën e famshme të Karl Jenkins “Njeriu i Armatosur: Një meshë për paqe”, ku autori e inkorporon edhe ezanin. Kjo vepër u ekzekutua shkëlqyeshëm nga Filharmonia e Kosovës në katedralen e njohur Saint-Louis e cila njihet për simbolikën e fortë – në oborrin e saj bëhen homazhet kombëtare për personalitete civile e ushtarake. Ezani në një kishë! ‘Skandal’ shkruanin ekstremistët e krishterë. Unë nuk e censuroj artin.
Tash, çfarë të mendojë një qytetar i Kosovës për ambasadorin e vet në Francë? Unë jam ambasador i të gjithëve, i atyre që besojnë, pa dallim feje, si dhe i atyre që s’besojnë fare. Por, unë jam edhe ambasador i një shteti i cili i krijua pikërisht duke u bazuar vlerat perëndimore, në liri e demokraci, në shtet ligjor. I një shteti i cili aspiron të integrohet në strukturat evro-atlantike. Pra, ju ftoj të reflektojmë së bashku, si lindi liria jonë dhe ku i kemi thënë vetes që po shkojmë.
Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pash njerëz që mund të jenë të lënduar sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar. Për më shumë, unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës.
Unë, në emër të vlerave që e krijuan Kosovën e lirë dhe të pavarur, në emër të Kosovës, solidarizohem plotësisht me viktimën dhe me shoqërinë franceze e cila është goditur fort këtyre viteve të fundit nga akte terroriste me ngjyrime fetare. Franca e ka luajtur një rol të posaçëm e historik në rrugëtimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, andaj edhe ajo bëhet cak i shpeshtë i ekstremistëve. Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë.
Unë nuk e përkrah censurën e mediave sepse kam parë vet çka do të thotë të jesh shqiptar në Kosovë në vitet ’90 kur televizioni shqip ndalohej. Unë jam kundër dhunës sepse vet e kam përjetuar luftën në Kosovë. Por, unë nuk e përkrah aspak tentim-instalimin e teokracisë e as të ekstremizmit fetar. Përgjigjet për plot çështje mund t’i gjejmë nëse flasim për religjionin si e drejtë personale. Ligjet e republikës tonë laike janë mbi normat e tjera. Dhe këto ligje na mundësojnë ta shfaqim respektin për të gjitha komunitetet fetare në Kosovë, sidomos për komunitetin më të madh, atë musliman, respekt të cilin e ndaj edhe unë.
Unë do të solidarizohem përherë me viktimat. Do ta mbroj përherë me ngulm lirinë besimit e të mos-besimit. Do të punoj gjithmonë për tolerancë. Por, toleranca nuk avancohet me mosdije e mos-informim. Andaj do të punoj për mbrojtjen e lirisë së mendimit, të informimit e të shprehjes. Si mysliman, si katolik, si ortodoks, si hebre, si protestant, si anëtar i tarikateve, si bektashi, si ateist… Si shtetas i Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit për përkrahjen,
Unë, biri yt, Kosovë.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...