Google ADS

Ambasadori norvegjez në Kosovë: Kujdes me Asociacionin, të jetë brenda strukturave të shtetit

16:49 | 15 Korrik 2018
Arbresh.info

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, thotë se është esenciale të rifillohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, si një rrugë para, për përparimin e të dy vendeve. “Udhëheqja e politikës së jashtme të një shteti duhet të ketë pikënisje gjithmonë Kushtetutën e vendit, e Kushtetuta e Kosovës thotë se presidenti është lideri që duhet ta bëjë atë”, thotë ai.

Ambasadori norvegjez në një intervistë për KosovaPress ka folur për situatën politike në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe liberalizmin e vizave.

“Kushtetuta thotë se presidenti duhet të udhëheqë politikat e jashtme, se Qeveria duhet të propozojë dhe zbatojë politikën e jashtme dhe se Kuvendi duhet të ketë një funksion mbikëqyrës dhe të miratojë traktatet. Kjo është një pikënisje e mirë dhe mendoj se përveç se të shikohet ajo se çka e thotë Kushtetuta. Është e rëndësishme që të gjithë të përpiqen të kuptojnë se duhet të ndërtohet një platformë e përbashkët dhe një konsensus sa më i gjerë në mënyrë që këto negociata të kenë sukses. Ngase përndryshe do të jetë shumë e vështirë për Kosovën që të zbatojë ndonjë marrëveshje. Pra, shpresojmë se dialogu do të rifillojë së shpejti dhe kur bëhet fjalë për rezultatet që do të arrihen, kjo varet nga autoritetet e Kosovës që do të vendosin se cila do të jetë platformë shumë e rëndësishme si dhe për kërkesat e tyre, mendoj se këto negociata do të jenë të vështira për të dy palët dhe gjithashtu mendoj se të dyja palët duhet të jenë të përgatitura për të gjetur kompromis. Përndryshe do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e detyrueshme. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se kjo është për një situatë e favorshme për të dy vendet. Sipas pikëpamjes sime, arritja një marrëveshjeje përfundimtare, të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse do të përshpejtojë integrimin e të dy vendeve në strukturat euro-atlantike. Për Kosovën kjo nënkupton që ju do të jeni më afër BE-së, më afër NATO-së dhe më afër Kombeve të Bashkuara. Mbetet për t’u parë se sa kohë do t’i duhet Kosovës që të anëtarësohet në këto organizata, kjo nuk do të ndodhë brenda natës, as pas marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por së paku do të jetë një hap shumë i rëndësishëm, në drejtimin e duhur “, ka thënë ai.

Sipas tij, palët në dialog duhet të shmangin llojin e sjelljes që është provokuese, dhe se kjo përgjegjësi i takon Beogradit dhe Kosovës, ngase ndryshe shanset për arritjen e marrëveshjes finale do të jenë më të vogla se sa mund të kishin qenë më parë.

“Jo domosdoshmërish do ta thoja këtë, është shumë vështirë të etiketojmë dhe të themi nëse ka dallime në qasjen mes Serbisë dhe Kosovës, mendoj se do të ishte më konstruktive që të inkurajoheshin të dyja palët për të krijuar një atmosferë dhe klimë të favorshme, dhe gjithashtu mendoj është e drejtë të thuhet që të dy vendet në të kaluarën herë pas here kanë pasur veprime të cilat nuk janë shumë të dobishme për krijimin e një klime sociale, por unë nuk jam i gatshëm të veçoj as Kosovën dhe as Serbinë dhe të them se cila nga dy vendet ka më shumë përgjegjësi”, ka thënë ambasadori.

Tutje ai ka folur edhe për transformimin e mandatit të FSK-së në atë ushtarak, diçka që sipas tij do të ndodh, por vështirë se mund të flitet tash për një datë se kur.

“Më lejoni së pari të them se ne për shumë vite kemi mbështetur KFOR-in dhe Kryetarin e KFOR-it në Kosovë. Kur është fjala për transformimin e forcave të sigurisë së Kosovës që do të ndodh dikur në të ardhmen, është shumë e vështirë të përcaktohet ndonjë datë specifike në lidhje me këtë, siç është thënë qartë edhe nga partnerët tanë të NATO-s dhe SHBA-së për një kohë të gjatë dhe ne besojmë se mënyra më e mirë për t‘u bërë kjo është të ndryshohet Kushtetuta, që do të thotë se komunitetet jo-shumicë do të duhet të jenë në bord dhe gjatë miratimeve. Nëse do të arrihet apo jo, nuk më takon mua të them, duket se ka disa vështirësi për momentin, ndoshta e vështirë, por qasja do të ishte më e mirë. Mendoj gjithashtu që njëkohësisht është e rëndësishme të kuptohet se ky transformim është një proces kompleks, asgjë nuk e pengon Kosovën që të përmirësojë dhe forc ojë forcat e saja të sigurisë brenda mandatit të presidentit, gjërat mund të bëhen, mund të miratohen dhe Kosova mund të përmirësojë forcat dhe standardet e saj brenda mandatit presidencial deri në një farë mase. Por është e vërtetë që në mënyrë që të themelohet Ushtria ligji duhet të ndryshohet pike së pari dhe siç thashë edhe me herët, sipas mendimit tim kjo duhet të ndodhë me ndryshim kushtetues”, ka thënë ai.

I pyetur rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe detyrimin që Kosova ka për të themeluar dhe funksionalizuar atë, ambasadori norvegjez ka theksuar se një shkallë e decentralizimit të kompetencave është e natyrshme në çdo vend dhe veçanërisht ato vende ku ka komuniteti jo shumicë.

“Kur është fjala për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, më lejoni të them se një shkallë e decentralizimit të kompetencave është e natyrshme në çdo vend dhe veçanërisht nëse nuk ka komunitete shumicë. Ky ishte gjithashtu sfondi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe. Tani duhet vetëm të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodh. Komiteti menaxhues, për aq sa jam i informuar, ka hartuar një projekt statut për asociacionin dhe sipas mediave ky statut është vlerësuar nga Qeveria dhe nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë me të vërtetë shpresoj që kjo pikëpyetje do të mund të zgjidhet. E di që kjo ishte një temë e rëndësishme për palën serbe në bisedimet e Brukselit disa vite më parë, dhe gjithashtu besoj se kjo do të jetë e mundur të rregullohet gjatë rrugës. Me shpresë që së shpejti dhe jo më vonë dhe natyrisht gjithmonë do të ketë diskutime mbi detajet e Asociacionit dhe mendoj se është e ligjshme që kjo të bëhet në atë mënyrë që nuk e minon funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe që do të thotë se duhet të shqyrtohet me kujdes nga ekspertët, avokatët dhe nga të tjerët, për ta bërë këtë asociacion funksional brenda strukturave të shtetit të Kosovës. Kështu që ende ka shumë punë që duhet bërë për ta arritur këtë. Mendoj se kjo do të shërbejë për qëllime të rëndësishme në Kosovë, dhe shpresoj se do të jetë pjesë e realitetit në një të ardhme të afërt”, ka thënë ambasadori Strand Sjaastad.

Duke folur ndërkaq rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe datën e mundshme kur do të mund të ndodh kjo, ambasadori tha se nuk është i sigurt për afatin kohor dhe nuk mendon se është kohë e mirë të flitet për datë por të punohet në përmbushje të kritereve.

“Më lejoni të them se janë shtetet anëtare të BE-së të cilat do të vendosin. Norvegjia nuk është anëtare e BE-së, ne jemi anëtarë të Shengenit, që do të thotë që nëse vendet e Shengenit, të cilat janë gjithashtu pjesë e BE-së e që kanë të drejtën e votës në Shengen, vendosin të japin liberalizimin e vizave në Kosovë, ne do të bëjmë automatikisht të njëjtën gjë. Por se kur do të ndodhë një gjë e tillë është e vështirë ta them dhe nuk kam ndonjë qëndrim për këtë… Kosovës do t’i leverdisë për ta marrë liberalizmin, jam i sigurt, por në të njëjtën kohë mendoj se ka shumë çështje të tjera që janë njëlloj të rëndësishme ose dhe më të rëndësishme, siç është sundimi e ligjit, rritja e ekonomisë, përmirësimi i sistemit të arsimit, situata energjetike, dialogu me Serbinë për të cilin fola. Kështu që do të thoja se patjetër liberalizimi i vizave do të jetë i mirëpritur,por nuk do të jetë diçka që mund të ndryshojë sipas mendimit tim, pra kjo është pikëpamja ime personale. Mendoj se Kosova ka bërë shumë punë për t’u përgatitur për liberalizimin e vizave, është miratuar marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi dhe tani kriteri i fundit është të fokusoheni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfundimi varet nga komisioni dhe vendet anëtare të BE-së, por sipas mendimit tim Kosova ka bërë një përparim të rëndësishëm në këto fusha, çka është shumë e rëndësishme për të gjithë Evropën dhe unë mendoj se është e ligjshme për shtetet anëtare të BE-së që të vlerësojnë disa kritere në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, kështu që ne nuk duam që këto probleme të rriten kur të hiqen kufizimet e vizave”, ka thënë ai.

I pyetur rreth efektit që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të kenë në politikën e Kosovës, ambasadori norvegjez ka thënë se Gjykata Speciale nuk e vë në dyshim legjitimitetin që shqiptarët kanë luftuar për liri deri në fund të viteve të 90-ta, por po ashtu mëton të ndjek penalisht krimet e luftës që nuk justifikohen.

“Nuk më takon mua të them nëse janë të përgatitur për të trajtuar proceset e Gjykatës Speciale ose jo, por unë shpresoj se janë. Dua të them se duhet të mbani mend se Gjykata Speciale nuk e vë në dyshim legjitimitetin dhe shqiptarët që kanë luftuar në fund të viteve ’90, mandati i saj është vetëm për të ndjekur penalisht krimet e luftës dhe të gjithë duhet të kuptojnë se një luftë nuk e justifikon vrasjen e rastësishme të njerëzve, ka rregulla të caktuara që duhet të ndiqen kur bëhet luftë por unë mendoj se Kosova, Kuvendi dhe Qeveria duhet ta miratojnë këtë Gjykatë Speciale, iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk ka qenë shumë e dobishme dhe jemi të lumtur që kjo iniciativë është ndërprerë dhe jam i bindur se autoritetet e Kosovës do të ndjekin përgjegjësitë kur bëhet fjalë për zbatimin e mandatit të Gjykatës Speciale, dhe shpresoj që së shpejti do të shohim disa aktivizime të tjera”, ka thënë ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Per Strand Sjaastad.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme