Rezultati final në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke, thotë ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai thotë se kjo duhet të bëhet për shkak se dy shtetet nuk mund të pranohen në Bashkimin Evropian pa e njohur njëra-tjetrën.
“Këtu dua ta citoj Kancelarin tim, i cili thotë se rezultati final mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke, sepse është e paimagjinueshme që mund të pranohen në BE shtete që nuk e kanë njohur njëra-tjetrën. Ne e shohim Kosovën si një shtet të pavarur e sovran, pra pa njohje reciproke në fund nuk ka rrugë të qartë për në Evropë”, tha ai.
Madje, Rohde thotë se nuk ka një format të ri të dialogut dhe se këshilltarët e presidentit francez dhe të kancelarit gjerman ishin për vizitë për të dhënë mesazhin e qartë se “palët duhet të jenë të gatshme për vendime të vështira”.
“Unë nuk di për një format të ri të dialogut. Këshilltarët e Macron dhe Scholz ishin në Prishtinë dhe në Beograd, në shoqërim të Përfaqësuesit Special Lajcak për të dhënë mesazhe të qarta që palët të jenë të gatshme për vendime të vështira dhe t’i afrohen marrëveshjes finale. Ky është mesazhi i tyre. Gjermania po investon shumë për t’ju afruar me Evropën, por edhe ju duhet të kryeni pjesën tuaj të punës”, shtoi ai.
Po ashtu, ambasadori vlerëson se Bashkimi Evropian e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.
“Shtetet e Bashkuara janë mbështetëse në këtë proces. Gjatë vizitës së Kryeministrit Kurti në Bruksel, aty ishte edhe Sekretari i Shtetit, Eskobar. Jemi në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. BE po e udhëheq këtë proces dhe SHBA-të janë duke e mbështetur. Nuk ka asgjë për të shtuar më tepër, ne e udhëheqim këtë proces, dhe e kemi mbështetjen e SHBA-së”, shtoi ai.
Tutje, ai thekson se në rast të arritjes së një marrëveshjeje në kuadër të dialogut, pesë vendet mosnjohëse të BE-së ndaj Kosovës do të ndryshojnë qëndrim.
“Në Bashkimin Evropian, jemi 27 shtete anëtare sovrane, të cilat mund të mos pajtohen me qasje të caktuara. Sa i përket Gjermanisë, ajo iu thotë shteteve mosnjohëse se ndryshimi i qasjes së tyre ndaj Kosovës do ta forconte unitetin e BE-së, por është në dorën e tyre të ndryshojnë qëndrim. Në rast se arrihet një marrëveshje në kuadër të dialogut, atëherë këto 5 shtete mosnjohëse kanë deklaruar se do të ndryshojnë qëndrim në raport më pavarësinë e Kosovës. Ne kemi nevojë për progres dhe progres do të thotë se duhen bërë kompromise”, tha ai për Tëvë1.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...